15-08-2026

“Ar*më të gjata, revole”, Policia jep detaje se çka iu gjet Hazirajt gjatë arrestimit

Policia e Kosovës ka arrestuar Vezir Hazirajn, i dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘vrasje në tentativë’.

Ai prej disa ditësh ishte në arrati, nga ku kishte thënë se nuk do t’i dorëzohej organeve të rendit.

Por sot ndodhi e kundërta e asaj që ai pretendonte. Haziraj u arrestua dhe gjatë arrestimit atij iu gjetën dy armë të gjata dhe një revolver.

Këtë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova.

E si e zbuloi AKI-ja vendndodhjen e të dyshuarit për plagosje me armë zjarri në fshatin Orroberdë të Istogut, mund ta ndiqni në hulumtimin e Insajderit.

Për javë të tëra, i arratisuri më i përfolur i ditëve të fundit sfidonte hapur organet e rendit me video që merrnin mijëra shikime në TikTok.

Por, derisa në rrjete sociale krijohej përshtypja se ai po i ikte çdo kontrolli, prapa skenës Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI) po ndërtonte me kujdes hartën e lëvizjeve të tij.

​Mësohet se ishte pikërisht puna e AKI-së ajo që solli kthesën kryesore në këtë rast.

Zyrtarët e inteligjencës shfrytëzuan vetë videot e publikuara për të zbërthyer vendndodhjen e tij.

Pavarësisht se ai përdorte metoda për të fshehur IP-në dhe lokacionin, inteligjenca analizoi detajet teknike të çdo transmetimi, duke e ngushtuar zonën e kërkimit hap pas hapi.

​Paralelisht me gjurmimin digjital, AKI identifikoi edhe rrjetin e personave që e ndihmonin të arratisurin në terren. Agjencia ra në gjurmët e bazave ku ai strehohej periodikisht, si dhe të njerëzve që i siguronin mjetet e transportit dhe telefonat.

​Sapo u konfirmua vendndodhja e saktë, të dhënat iu kaluan njësive speciale të Policisë së Kosovës, të cilat kryen ndërhyrjen e rrufeshme pa i lënë hapësirë për ikje.

​Sot, i arratisuri që u bë “hit” në rrjete sociale ndodhet prapa grilave-ku doli se çdo video e publikuar për të sfiduar shtetin ishte thjesht një gjurmë më shumë për inteligjencën që e çoi drejt arrestimit.

Në fund tha vet që po dorëzohet.

Asnjë koment

Comments are closed.