17 lëmoshkërkues, në mesin e të cilëve dhe fëmijë janë dëbuar nga Prizreni për në Shqipëri, për shkak të bezdisjes së qytetarëve, ndërkohë që policia e Prizrenit ka njoftuar se ka pasur takime me kolegët nga Kukësi për parandalimin e kësaj dukurie, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.
Pas disa ankesave të qytetarëve dhe bizneseve kundër personave të bezdisshëm që frekuentonin rrugët dhe qendërën në Prizren, duke kërkuar lëmoshë, së fundi është zbatuar një plan veprimi në të cilin janë kthyer për në Shqipëri 17 persona. Sipas policisë, në mesin e tyre ka pasur të rritur, fëmijë dhe femra.
Drejtori i policisë për rajonin e Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, ka thënë se aksionet janë zhvilluar në bashkëpunim me njësitin për migrim, ndërsa për ta parandaluar dukurinë e hyrjes së këtyre personave në Prizren dhe Kosovë janë organizuar takime edhe me Drejtorinë policisë së Qarkut të Kukësit të Shqipërisë.
Policia në Prizren, ka deklaruar se numri i lëmosh kërkuesve, sidomos në sheshin “Shatërvan”, pos qytetarëve përbën shqetësim edhe për organet e rendit. Zëdhënësi i policisë në Prizren, Hazir Berisha, tregon se për këtë arsye policia disa herë ka ndërmarrë plane operative e aksione ditore për largimin dhe procedimin e lypsarëve, ndërsa ata nga Shqipëria janë depërtuar me vendim të gjykatës kompetente.
Operacione për largimin e lëmoshkërkuesve ka pasur edhe gjatë mujave të verës, kur ka më shumë vizitorë në Prizren.
I pyetur se për mënyrën se si po rikthehen lypsarët në Prizren, pasi disa herë janë dëbuar, drejtori Krasniqi, tha për portalin “GazetaePrizrenit.net” se kjo ndodh për shkak të fluksit në pikëkalimin kufitar më Shqipërinë, në Vërmicë të Prizrenit, ku ka pasur lehtësira për kalimin e kufirit.
Sipas policisë, një çështje që duhet trajtuar nëpër takime, të akterëve të sigurisë, është çështja e fëmijëve, të cilët janë kategoria kryesore e lypsarëve, e që përbën vështirësi për t‘u trajtuar pa angazhimin edhe të institucioneve civile, si Qendra për Punë Sociale dhe institucionet tjera, të cilat trajtojnë fëmijët, shumica e të cilëve janë nën 14 vjet.
Në këtë kontekst, njoftohet se edhe Njësia Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore në Prizren ka pasur disa reagime e trajtime të këtyre rasteve, në aspekt të keqtrajtimit apo braktisjes së fëmijëve (në rastet kur prindërit kanë shtyrë apo kanë kryer lypsari së bashku). Referuar shënimeve, gjatë vitit të kaluar nga kjo njësi janë iniciuar 9 raste./ GazetaePrizrenit.net/