Lufta dhe rënia heroike e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij në Prekaz, më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 u bë kushtrim për shtrirjen e Ushtrisë Çlirimtare në tërë Kosovën. Tashmë shihej qartë se ishte momenti i fundit për realizimin e aspiratave të shqiptarëve, realizim i sakrificave të panumërta në historinë tonë të dhimbshme.
Kushtrimi i flijimit të Jashararëve, me shpejtësi të rrufeshme u përhap edhe në territorin e Prizrenit. Në fshatrat e Vrrinit filloi të operonte njësiti i UÇK-së me emrin “Petriti”, që u shndërrua në Shtabin e UÇK-së për Prizren, shkruan “gazetaeprizrenit.net”.
Në këtë ditë edhe u bë ndarja e detyrave, ku komandant i Shtabit u caktua Remzi Ademaj (tash Hero i Kosovës), pastaj përgjegjës i Shërbimit Zbulim dhe Kundërzbulim (ZKZ) është caktuar Xhevat Berisha, përgjegjës të logjistikës u caktua Selim Krasniqi, e komandant i policisë ushtarake, Selajdin Berisha.
Ismail Kryeziu ishte përgjegjës për ndërlidhje me SHP të UÇK-së, Naser Berisha komandant i Kompanisë së parë, ndërsa Zafir Berisha, komandant i Kompanisë së Dytë. Përgjegjës për furnizim me armatim ishte Xhemshit Krasniqi.
Më vonë si përgjegjës i spitalit ushtarak u caktua Dr. Sherif Krasniqi, përgjegjës për financa Azem Ramadani, përgjegjës për moral është caktuar Mr. Enver Batiu, ndërsa Hylki Xhemaj ishte komandant i qendrës stërvitore.
Guximi i ushtarëve të UÇK-së ndikoi në mobilizimin e shumë të rinjve që të paraqiten vullnetarisht në UÇK, ndërsa detyrë e Shtabit ishte që ata t’i armatoste nëpërmjet zinxhirit furnizues që po funksiononte nëpërmjet të Shqipërisë, përkundër që paraqiste një rrugë tejet të vështirë, nëpër një terren të papërshtatshëm dhe përplot me rreziqe.
Shtabi i UÇK-së në Prizren arriti që për një kohë shumë të shkurtër të organizohej si ushtarakisht ashtu edhe në logjistikë. Shtabit iu bashkëngjit Ekrem Rexha-komandant “Drini”, oficer i karrierës. Kësisoj filloi funksionimin edhe spitali ushtarak, qendra stërvitore dhe ajo e ndërlidhjes.
Komandant Remzi Ademaj, në ditarin e luftës ka shkruar se grupe të organizuara dhe individë kanë kontaktuar me të me qëllim të ofrimit të ndihmave dhe shërbimeve të ndryshme për UÇK-në. Kjo ishte një mbështetje e gjerë nga popullata për djemtë dhe vajzat që ishin rreshtuar në luftën për liri.
Zafir Berisha deklaron se në fshatrat e Vrrinit ishte operativ njësiti i UÇK-së me emrin “Petriti”.
Për shndërrimin e tij në shtab u mbajtën takime në disa fshatra, por u morën për bazë edhe rekomandimet e Shtabit të Përgjithshëm (SHP) të UÇK-së. Në këtë kohë, në këtë rajon vjen Bislim Zyrapi, shef i operativës në SHP të UÇK-së, i cili edhe kishte të drejtën e emërimeve dhe të organizimeve të UÇK-së.
Selia e Shtabit u vendos në Jeshkovë, ndërsa komandant i Shtabit të UÇK-së për Prizren u caktua Remzi Ademaj, veprimtar i hershëm i çështjes kombëtare ( libri “Rruga e lirisë”).
Zyrapi deklaron se me 29 qershor 1998 ka shkuar në rajonin e Vrrinit. “Pasi kam vëzhguar për disa ditë aktivitetin e njësitit “Petriti” kemi vendosur që ai të shndërrohet në shtab të UÇK-së. Propozimi i SHP të UÇK-së ishte që Remzi Ademaj të jetë komandant i Shtabit të UÇK-së për Prizren dhe ashtu është vendosur. /gazetaeprizrenit.net/