Sot bëhen 20 vjet nga Masakra e Tususit (tash lagjja e Trimave ) në Prizren, që paraqet ngjarjen më të rëndë në qytet, gjatë luftës së fundit, shkruan Gazeta e Prizrenit.
Dëshmitarë që mbijetuan masakrën, kanë thënë se në këtë operacion të përgjakshëm janë përfshirë forcat speciale të policisë, në koordinim me formacione të përziera paramilitare serbe, të cilat kishin të veshur uniforma kamuflazhi (të gjelbra), një pjesë e tyre mbanin maska në fytyrë, ndërsa të tjerët kishin të lidhur shamia në kokë.
Ata me brutalitet u futën shtëpi më shtëpi, dhe në këtë operacion plaçkitën, dogjën e shkrumbuan 245 shtëpi të lagjes. Njësitë kriminale serbe, i ndanin burrat nga gratë dhe fëmijët dhe pa mëshirë i ekzekutuan 25 meshkuj të moshave të ndryshme. Ky operacion me përmasa gjenocidi ka vazhduar deri në orët e pasdites.
“Amaneti ynë: Punoni, duani dhe ndihmoni njëri tjetrin, çmojeni këtë liri që ua solli gjaku ynë dhe i mijëra të tjerëve, nëse nuk doni që t´u përsëritet historia…Kosovë e larë me gjak ndër shekuj e mote, gjaku ynë hallall të qoftë,lamtumirë Prizren historik, gjaku ynë t´u bëftë dritë…”.
Ky mbishkrim qëndron në përmendoren e ngritur Tusus) në Prizren, ku janë të skalitur emrat e 27 shqiptarëve të vrarë e të masakruar barbarisht, më 26 maj 1999, nga forcat kriminale serbe.
Lagjja e Trimave ishte baza kryesore e UÇK-së dhe luajti një rol të rëndësishëm në masovizimin e saj për zonën e Vërrinit, prandaj si e tillë ishte vënë nën vëzhgim të përhershëm nga forcat pushtuese sere.
Gjatë muajve mars-maj 1999, në kohën kur forcat ushtarake e paramilitare serbe me dhunë e shpërngulte popullatën shqiptare për në Shqipëri, Tususi ishte shndërruar në një çerdhe të fuqishme për UÇK-në. Shumica e banorëve nuk i lëshuan shtëpitë e tyre, madje një kohë aty gjetën strehim edhe dhjetëra familje të Vrrinit, Opojës dhe të rrethinës.
Tentimet e forcave kriminale serbe, që të stacionohen në Tusus kanë hasur në rezistencë të armatosur nga njësitet e UÇK-së, të Brigadës 125.
Gjatë majit 1999, njësitet e UÇK-së duke mbrojtur popullatën shqiptare, disa herë janë përballur me forcat pushtuese serbe në lagjen Tusus dhe në pjesët tjera – përgjatë maleve të Cvilenit dhe të Vërrinit.
Ngjarja kulmore e të gjitha zhvillimeve luftarake të UҪK-së në këtë lagje të Prizrenit, ishte ajo e 26 majit 1999, ku njësitë e UҪK-së gjatë një aksioni vrasin dy policë të njësisë speciale serbe. Njësitet e UҪK-së më 26. 05. 1999 në ora 07:30 kanë sulmuar në befasi policinë serbe në Lagjen ‘Tusus’, pikërisht në kohën kur po bëhej ndërrimi, pasi një vëzhgimi të lëvizjes së forcave serbe në këtë lagje.
Dhuna në Tusus do të merrte zjarr pas vrasjes së të paktën dy oficerëve serbë të policisë, në rrugën “Ramiz Sadiku”, që e përshkon mes për mes gjithë zonën. Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka publikuar emrat dhe fotografitë e dy policëve të vrarë në Tusus më 26 maj: Millosav Rajkoviç (lindur 1975), dhe Zllatomir Stankoviç ( lindur 1957)(Marrë nga “Pashtriku.org”).
Forca të shumta ushtarake e policore, në pamundësi të shkatërrimit të bazave të njësive të UÇK-së, qysh në orët e para të paradites së 26 majit 1999, ndërmorën një ofensivë gjithëpërfshirëse me karakter hakmarrës mbi popullatën e pafajshme civile. “Në orën 9:30 ka nisur ofensiva e forcave serbe”, shkruan KMDLNJ.
Në një lagje tjetër të Prizrenit, në “Bilbidere”, para se të ndodhte masakra e Tususit, saktësisht më 16 maj forcat paramilitare serbe kanë vrarë në shtëpinë e tyre: Enes dhe Fatmir Muharremin. Pas luftës Enesi dhe Fatmiri së bashku me 25 martirët e Tususit, prehen të qetë në varrezat e përbashkëta.
Por, ndonëse po bëhen dy dekada, ky krim sikur edhe shumë të tjerë ka mbetur i pandëshkuar nga drejtësia.
Në Lagjen e Trimave, në varrezat e martirëve sot në ora 11:00 përkujtohet 20 vjetori i masakrës./GazetaePrizrenit.net/