24-11-2024

38 mijë euro për hapjen e 45 puseve për ujitjen e tokave bujqësore

Komuna e Prizrenit ka nisur zbatimin e projektit për hapjen e puseve për ujitjen e tokave bujqësore. Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, bashkë me nënkryetarin, Eshref Memaj, dhe drejtorin e Bujqësisë, Egzon Elshani, të martën kanë vizituar punimet që po zhvillohen në pronat e fermerëve përfitues.

Zyrtarët e lartë komunalë me këtë rast kanë theksuar se ky projekt i Drejtorisë së Bujqësisë po realizohet me qëllim të krijimit të kushteve të nevojshme për zhvillimin e kulturave të ndryshme bujqësore, shkruan sot Koha Ditore.

“Kushti kryesor për zhvillimin e kulturave të ndryshme bujqësore është të ketë ujë të mjaftueshëm për ujitjen e tokave bujqësore. Me hapjen e 45 puseve në bazë të projektit të Drejtorisë së Bujqësisë, kjo nevojë e domosdoshme bujqësore është tejkaluar dhe fermerëve tanë u janë krijuar kushtet elementare për zhvillimin e aktiviteteve të tyre bujqësore”, ka bërë të ditur kryetari Haskuka. Sipas tij, hapja e puseve po bëhet në vendet ku ka probleme me ujë përkatësisht në pjesët ku bujqit dëshirojnë që ta zhvillojnë prodhimtarinë bujqësore më shumë.

Fotografia e Komuna e Prizrenit

Asnjë koment

Comments are closed.