22-11-2024

43 hektarë të Prizrenit i regjistrohen “gabimisht” Suharekës

Një sipërfaqe prej 43 hektarësh, në kufirin kadastra midis Prizrenit e Suharekës rezulton të jetë e shënuar në të dyja komunat fqinje, të cilat po lëshojnë dokumente për të njëjtat parcela. Zyrtarët prizrenas që pretendojnë se toka i takon Prizrenit, konfirmuan se kanë kërkuar përmirësim nga Agjenica Kadastrale e Kosovës (AKK), shkruan “Gazeta e Prizrenit.net”.

Refik Shaqiri, drejtor për Gjeodezi dhe kadastër, thotë se si drejtori kanë bërë kërkesë pranë AKK-së, si organ i shkallës së dytë dhe i cili ka të drejtë sipas ligjit të bëjë përmirësimin e kufijve kadastral, në mes të Komunës sonë dhe Suharekës. “Përafërsisht 43 hektarë janë regjistruar gabimisht në zonën e Suharekës, por që janë pronë e Prizrenit”, ka thënë ai.

Shaqiri tha se të dy komunat po lëshojnë dokumente për të njëjtën pronë , në mes të fshatit Legjendë (ish-Lutogllavë)  dhe fshatit Grejkoc të Suharekës.

“Çertifikatat e pronësisë për pronarë të njëjtë po lëshohen edhe nga Komuna e  Suharekës edhe në nga ajo e Prizrenit, andaj sipas përgjigjes, që do të marrim nga AKK-ja mendojmë që do të formohet një komision dhe konform ligjit duhet ta trajtojmë këtë gabim të ndodhur ndër vite”, ka thënë ai.

Drejtori i Kadastrit këtë çështje ia ka paraqitur edhe vetë kryetarit të Komunës Mytaher Haskuka.

Në anën tjetër edhe zyrtarët komunal të Suharekës, thanë se ka një dyshim për kontest pronësor nga Prizreni, por kjo mbetet të shihet nga AKK.

Drejtori për Kadastër, Emrush Bytyçi, ka thënë për “Gazeta e Prizrenit.net” se bëhet fjalë për pjesën e quajtur “Pusi i atit”, që bie në Zonën Kadastrale të fshatit Grejkoc, që është e regjistruar si pronë e kësaj komune./GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.