50 vjet të manifestimit “Takimet e Gjeçovit” në Zym të Hasit
Sot në Zym të Hasit, është mbajtur edicioni i 50-të jubilar “Takimet e Gjeçovit”, manifestim tradicional letrar, kulturor e shkencor, me pjesëmarrës nga të gjitha hapësirat e kombit dhe diaspora shqiptare. Pjesë e edicionit të 50-të jubilar të manifestimit tradicional “Takimet e Gjeçovit”, ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryetari i Prizrenit, zyrtarë të institucioneve shtetërore të Kosovës dhe Shqipërisë, atyre loklae të Prizrenit, historianë e krijues letrar dhe qytetarë.
Kryeministri Kurti, në një fjalim të tij para të pranishmëve, e vlerësoi tejet të rëndësishme mbajtjen gjallë të këtij aktiviteti të rëndësishëm kulturor për një gjysmëshekulli, ndërsa veçoi sivjet vendosjen e gurthemelit të monumentit “Nëna e Zymit”, duke lartësuar në piedestalin më të lartë figurën e nënës shqiptare.
Ndërkaq, këshilltari i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, nën patronatin e së ciles po mbahet edicioni i 50-të jubilar i këtij manifestimi, Vehbi Miftari, dhe ai i presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, thanë se “Takimet e Gjeçovit”, janë ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore shqiptare.
Njëri ndër personalitetet që me përkushtim të madh e ka mbajtur gjallë këtë manifestim, Frrok Kristaj, nga klubi letrar ” Shtjefën Gjeçovi” tha se organizimi i kësaj ngjarje për 50 vite rresht nuk ishte dhe aq i lehtë.
Në kuadër të edicionit jubilar të manifestimit ” Takimet e Gjeçovit”, përveç orës letrare ” Anton Pashku” dhe vënies së gurthemelit të monumentit ” Nëna e Zymit”, do të hapen edhe tre ekspozita të ndryshme si dhe është shfaqur një program artistik nga Ansambli etno-kulturor “Katarina Josipi” nga Zymi./ tv prizreni