16-04-2024

Hajni i veturave nga Prizreni nuk ka të ndalur, bie në pranga të Policisë për herë të tretë brenda 10 ditësh

Brenda 10 ditëve u arrestua për tri raste të vjedhjeve, që i kreu në Prizren, Istog e Rahovec. Bëhet fjalë për 18-vjeçarin nga Prizreni, Edison Ademajn, i cili është i njohur si hajn i veturave, me një histori të pasur kriminale. Profilin e të riut, që dyshohet për vepra të ndryshme penale, kryesisht të vjedhjeve, Sinjali e publikoi para pak ditësh, kur ai u arrestua në Prizren, më 22 maj.

Por pa shkuar ende një javë, ai ka përfunduar sërish në prangat e Policisë, si i dyshuar për një vjedhje në fshatin Xërxë të Rahovecit.  Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se Edison Ademaj është arrestuar mbrëmë, pas mesnate, pasi ka vjedhur çelësat e një vetureje dhe para të metalta, nga një furrë në këtë fshat.

Policia ka arritur ta kap të dyshuarin, i cili më pas është dërguar në Stacionin Policor në Rahovec, ku pas intervistimit, me aktvendim të Prokurorit i njëjti është ndaluar për 48 orë.

Por kush është Edison Ademaj, i riu me dosje kriminale?

18-vjeçari Edison Ademaj u kap nga Polica e Kosovës pas mesnatës së 22 majit, në rrugën “Adem Jashari”, në Prizren, derisa një njësi policore po patrullonte. Edisoni u ndalua pasi Policia dyshonte se i njëjti kishte kryer ndonjë rast të kundërligjshëm, meqë u has duke e shtyrë një skuter, në pikë të natës. Për shkak të dyshimeve dhe mungesës së dokumentacionit për posedim të këtij automjeti, Policia e shoqëroi Edisonin në stacion policor.

Gjatë verifikimit të të dyshuarit nga ana e Policisë, u kuptua se 18-vjeçari nuk ishte pronari i automjetit me të cilën u kap dhe rasti kishte të bënte me vjedhje, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se Edison Ademaj e kishte vjedhur këtë automjet në korridorin e një banese, ku përmes forcës kishte arritur ta thyente bllokadën dhe ta ‘avullonte’ motorin.

Lexo edhe:

Prizren: “Mbushet Shtëpia e Bardhë”, Totaj priti ish zv/drejtorin politik të fushatës së Presidentit Clinton dhe afaristë të fuqishëm shqiptarë (FOTO)

Pas përfundimit të procedurave në stacion policor, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e tij, në kohëzgjatje prej 48 orëve, periudhë kjo që ende s’ka përfunduar dhe pritet të ndërmerren veprimet hetimore nga Prokuroria.

Por kjo nuk është hera e parë që 18-vjeçarin Edison Ademajn e zuri sherri me Policinë.

Më 17 maj, ai u arrestua për një rast tjetër të vjedhjes, në fshatin Gurrakoc të Istogut. Bëhet fjalë për vjedhjen e një vetureje luksoze Mercedes G Class, të cilën arriti ta kap në parkingun e një biznesi. Por këtë herë, ai u përball me një qytetar që luajti rolin e policit, duke iu vënë pas të dyshuarit derisa ia dorëzoi veturën e tij.

Pronari i veturës e kuptoi që 18-vjeçari ia vodhi veturën, pasi dikush iu drejtua me fjalët “të shkoi kerri”. Kjo e bëri atë të reagojë shpejt, duke marrë një veturë tjetër me të cilën e ndoqi pas hajnin. Ai arriti t’ia bllokojë rrugën Edison Ademajt dhe ta marrë sërish veturën.

Atë natë, Policia u njoftua menjëherë për rastin dhe i riu u arrestua, por që refuzoi të përgjigjej në të gjitha pyetjet gjatë intervistimit nga hetuesit policorë. 48 orë që qëndroi në mbajtje, siç duket atij i shërbyen për të bërë planin për vjedhjen e radhës, që ndodhi mbrëmë në Prizren.

Rastet e vjedhjeve në Prizren për të cilat dyshohet Edisoni janë më të shpeshta.

18-vjeçarit nuk iu ka trembur syri dhe ka tentuar të kryej një vjedhje edhe në oborrin e stacionit policor ‘Alfa’, në Prizren, më 2 janar të këtij viti.

Gazeta Sinjali pati raportuar ekskluzivisht se si Edison Ademaj bashkë me Besim Memajn, planifikuan të vjedhin veturën e tyre, të sekuestruar nga Policia e Kosovës më 1 janar. Plani i tyre dështoi pasi ata u kapën nga Policia e Kosovës kur tentuan të vjedhin veturën “Renault Clio”, me targa vendore, e cila ishte sekuestruar për shmangie nga obligimet doganore. Atë ditë, Policia fillimisht arriti të arrestojë Besim Memajn, por pas një kohe të shkurtër ka rënë në prangat e Policisë edhe Edison Ademaj.

18-vjeçari u lirua për këtë rast të tentim vjedhjes, por pa kaluar një javë, ishte arrestuar sërish.

Më 11 janar të këtij viti, një njësi policore e stacionit policor në Prizren e arrestoi Edison Ademajn në fshatin Vlashnje të Prizrenit, pasi dyshohej se kishte kryer vjedhje të rëndë në një shtëpi, më 1 janar. Ai dyshohet se hyri me forcë brenda një shtëpie, nga ku vodhi një shumë të parave.

Por këto nuk janë rastet e vetme për të cilat Prokuroria ka informacione se Edison Ademaj ka kryer vjedhje gjithandej vendit. Edisoni, me dosje kriminale për plot raste ka qenë edhe në paraburgim, me vendimin e 12 janarit të Gjykatës Themelore në Prizren, që ia caktoi këtë masë të sigurisë, të cilën posa e përfundoi vazhdoi me avazin e vjetër.

P. S Foto ne ballinë nga arkivi

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/

Asnjë koment

Comments are closed.