16-05-2024

A do të nisë ndërtimi i Monumentit të Skënderbeut në Prizren?

Paralajmërimet e bëra në pranverë, se më së voni deri më 28 nëntor të këtij viti, në Kryeqytetin Historik të Kosovës, në Prizren do vihet gurthemeli i Monumentit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, vazhdojnë të mbeten dilemë.

Tashmë kur ka mbetur një javë,  deri në datën që përkon me disa ngjarje madhore të historisë kombëtare, në Prizren ende nuk është përcaktuar lokacioni se ku do të vendoset monumenti i propozuar, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.

Fillimisht ishte propozuar që shtatorja e Skënderbeut të përurohet këtë 28 nëntor te hapësira e rrethit të transitit Prizren-Gjakovë, por ky veprim i komisionit të ekzekutivit prizrenas, shkaktoi reagime nga pjesëtarët e shoqërisë civile, të cilët janë rreshtuar në idenë që Skënderbeu duhet të ngrihet në qendër të qytetit, në “Shatërvan”.

Sipas njoftimeve Qendra për Trashëgimi Histroike në Prizren, ka kundërshtuar vendosjen në disa nga lokacionet e propozuara në qendër.

Marrëveshja për realizmin e projektit është nënshkruar në fillim të vitit nga Komuna e Prizrenit, përkatësisht Drejtoria e Administratës dhe Shoqata e intelektualëve shqiptarë “Trojet e Arbrit”.

Drejtori i Administratës Komunale në Prizren, Osman Hajdari ka thënë se janë propozuar disa lokacione, por mbetet të vendoset në bashkëpunim me Shoqatën “Trojet e Arbrit”, si sponsorizues i projektit.

Ndër dy opsionet më të përshtatshme rreth lokacionit ku parashihet ngritja e monumentit janë rreth rrotullimin tek ish-qendra tregtare “Ben-af”, afër stacionit të autobusëve, në hyrje-daljen Prizren-Gjakovë, si dhe ai në qendër të qytetit, në fillimin e Sheshit që lidhet me Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, tek Ura përballë hotel ‘Therandës’.

Kryetari i shoqatës “Trojet e Arbrit”, Nue Oroshi, konfirmoi për portalin “Gazeta e Prizrenit” se kjo çështje do të definohet në fillim të javës që vjen dhe pastaj do të vendoset për datën e gurthemelit.

Ndryshe, sipas projektit të propozuar, parashihet që shtatorja e Skënderbeut të këtë lartësi prej 3.3 metrash, me gjerësi 1 metër.

Sipas marrëveshjes, financimin e projektit do të bëjë shoqata, ndërsa Komuna do t’i kryej punët për rregullimin e hapësirës dhe të ndriçimit. /GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.