A e ka anuluar OSHP-ja vendimin e Haskukës për anulimin e teleferikut në Kala?
Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka aprovuar si të bazuar ankesën e operatorëve ekonomik, lidhur me projektin për teleferikun në kalanë e Prizrenit. Pas këtij njoftimi, përfaqësues nga opozita kanë vlerësuar se vendimi i parë i ndërmarrë nga kryetari Mytaher Haskuka përbën shkelje të ligjit, transmeton “Gazeta e Prizrenit.net”.
Shefi i grupit të anëtarëve AAK-së në Kuvendin Komunal, Ilir Baldedaj, teksa ka interpretuar vendimin, ka thënë se OSHP ka marrë vendim kundër vendimit të anulimit të kryetarit, duke e quajtur atë veprim të paligjshëm.
“E vetmja punë që deri tash e ka bërë kryetari Haskuka është anulimi i projektit të teleferikut për në Kalanë e Prizrenit, por vendimi i tij i parë i ndërmarrë përbën shkelje të ligjit”, ka shkruar ai në faqen e tij të “facebokut”.
Komuna e Prizren, më parë e ka shpallur fituesin në tenderin për teleferikun, por pastaj firmat e pakënaqura kanë bërë ankesë në Prokurorim, e më pas çështja ka kaluar në instancë më të lartë, në OSHP.
Në vendimin e OSHP-së, thuhet: “anulohet njoftimi për anulimin e aktivitetit të prokurimit me titull “Ndërtimi i teleferikut për qasje më të lehtë në Kalanë e Prizrenit”.
Baldedaj, ndërkaq shkruan se në këtë vendim përpos që aprovohet si e bazuar ankesa e operatorit ekonomik, “anulohet njoftimi për anulimin e aktivitetit të në fjalë të prokurimit, të iniciuar nga autoriteti kontraktues /KK/ Prizren dhe lënda kthehet në rivlerësim”.
Më tej në këtë vendim thuhet “Autoriteti Kontraktues në afat prej 10 ditësh duhet ta informoj me shkrim Panelin Shqyrtues për të gjitha veprimet e ndërmarra lidhur me këtë aktivitet të prokurimit”.
Në këtë kontekst, Baldedaj ka shkruar se vazhdimisht ka insistuar që ky vendim i Haskukës “është i paligjshëm, dhe tash vjen dokumenti zyrtar që dëshmon se kryetari ka bërë shkelje ligjore, kur e anuloi projektin për teleferikun”.
“Në pikën katër të këtij vendimi thuhet se mos respektimi i këtij vendimi, detyron Panelin Shqyrtues që konform dispozitave ligjore të ndërmarrë masa ndaj autoritetit kontraktues, që në këtë rast është Komuna e Prizrenit dhe më saktësisht kryetari saj. Ndër të tjera në arsyetim thuhet edhe se kryetari i Komunës nuk ka të drejtë ta anulojë projektin e teleferikut për në Kalanë e Prizrenit”, ka shkruar ai.
Ndër të tjera Baldedaj, tregon se “Paneli shqyrtues konstaton se autoriteti kontraktues ka vepruar në kundërshtim me nenin 62 të LPP me rastin e anulimit të këtij aktiviteti të prokurimit, pasi që në këtë rast nuk është plotësuar asnjëra nga kushtet e parashikuara në këtë dispozitë dhe sqaron se asnjë dispozitë ligjore nuk parasheh që me vendim (ndërhyrje) të kryetarit të Komunës mund të anulohet një aktivitet i prokurimit , sepse të gjitha procedurat e anulimit të një aktiviteti të prokurimit parashihen me ligj”.
Asamblisti nga AAK, në fund ka theksuar se mungesa e vizionit për qytetin, mungesa e njerëzve profesionistë që përkthyer në gjuhë më të thjeshtë është mungesë e dijes për ta udhëhequr qytetin, në këtë rast u përkthye me shkelje të ligjit. “As në ta ardhmen qytetarët e Prizrenit nuk do mund të presin asgjë të mirë nga kjo qeveri pavizion dhe nga ky kryetar për të cilin Prizreni nuk është qyteti ku ai jeton” përundon Baldedaj.