21-05-2024

A po çon një mesazh Thaçi nga fshati i tij ku po krasit pemë?

Hashim Thaçi pak kohë pasi tha dikush po pengon arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi ka shkuar në Burojë. Ka publikuar një fotografi duke krasitur pemët. Aty ka shkruar se po i largon pipat e tepërt.

“Burojë, në prag të pranverës. Koha e krasitjes së pipave të tepërt”, ka shkruar Thaçi

Gjatë ditës, Shefi i Shtetit, Hashim Thaçi, ka thënë se dikush është i interesuar të pengojë arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi e cila do të sjellë njohjen reciproke.

Ky qëndrim i Presidentit Thaçi në Twitter është shkruar një orë pasi Ramush Haradinaj doli kundër formës aktuale të dialogut Kosovë-Serbi ku Presidenti është udhëheqës i këtij procesi.

“Ka shumë interesim të personave të caktuar që ta pengojnë procesin e arritjes së marrëveshjes përfundimtare të paqes mes Kosovës dhe Serbisë. Prandaj, më lejoni ta them përsëri, qartë dhe në mënyrë të zëshme: Po flasim për përfundimin e një konflikti shekullor, duke u përqendruar në zhvillim ekonomik, jetë më të mirë për qytetarët tanë dhe njohje reciproke. Asgjë më shumë dhe asgjë më pak”, ka shkruar Thaçi në Twitter.

“Përsëri, roli i Shteteve të Bashkuara është i domosdoshëm. I dërguari special, Richard Grenell, është duke e bërë një punë të shkëlqyeshme dhe e ka përkrahjen e plotë nga Matt Palmer. Faleminderit, Donald Trump, që po punoni për paqe në botë”, ka shtuar ai.

Një ditë më parë, Presidenti u përshi në një debat me temën e ndarjes së Kosovës. I reagoi një profesori amerikan duke thënë se është për të ardhur keq kur sheh se me çfarë lehtësie analistët krijojnë plane fiktive ( shkëmbim territoresh, ndarje, autonomi) dhe ua atribuojnë ato atyre që janë duke provuar të bëjnë marrëveshje historike mes Kosovës dhe Serbisë

Edhe Richard Grenell e ka quajtur lajm të rremë idenë se po synon ndarjen e Kosovës. Ka thënë se një temë e tillë asnjëherë s’është diskutuar kur ai ka qenë prezentë në takimet ndërmjet palës kosovare dhe asaj serbe.

Ky reagim i të dërguarit të Trump për dialogun ka ardhur pasi profesori amerikan, Edward Joseph ka thënë se qëllimi i vërtetë Grenellit,  presidentit Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiq është të arrijnë një marrëveshje që në thelb ka ndarjen e Kosovës.

“Lajm i rremë. Kjo kurrë nuk është diskutuar në prezencën time. Edward Joseph është i pamatur këtu”, ka shkruar Grenell në Twitter

Donald Trump po kërkon një marrëveshje të shpejt ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Vitin e kaluar kishte kërkuar që marrëveshje të ishte e pranueshme për të dy palët.

Mirëpo, bisedimet ende s’kanë rifilluar pasi Kosova ende vazhdon ta mbajë në fuqi taksën ndaj produkteve serbe e boshnjake.

Richard Grenell, i Deleguar Special i Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, është përfshirë në një debat me Kryeministrin Albin Kurtin për heqjen e taksës. Grenell po kërcënon me masa ekonomike ndaj Kosovës nëse udhëheqësit kosovarë vazhdojnë të mos përfillin kërkesat amerikane.

Albin Kurti ka premtuar se nga 1 prilli do ta largojë taksën 100 për qind kurse nga 15 marsi vetëm për lëndën e parë.

Në një editorial për një gazetë gjermane, Kurti tha se çdo marrëveshje që arrihet me presion s’do të ketë ndonjë vlerë.

Kosova dhe Serbia kanë hyrë në një dialog të ri prej vitit 2011, pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë tha se shpallja e shtetit kosovar s’ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare. Janë zhvilluar disa raunde bisedimesh në Bruksel mirëpo s’ka pasur një marrëveshje finale.

Tash, edhe SHBA, por edhe BE kanë kërkuar një Marrëveshje Finale që do të normalizonte raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë./GazetaExpress

Asnjë koment

Comments are closed.