03-12-2024

A po fsheh diçka Komuna e Prizrenit nga listat e përfituesve financiarë në turizëm?

Drejtoria e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik në Prizren një ditë më parë shpalli listën preliminare të përfituesve për mbështetje financiare në fushën e turizmit dhe zhvillimit ekonomik, në të cilën kryesisht bëjnë pjesë organizata joqeveritare, siç thuhet të fokusuara në këtë fushë.

Përkundër publikimit të emrave të 19 OJQ-ve dhe një fondacioni, nuk është dhënë edhe shuma e mjeteve të secilit përfitues, shkruan sot “GazetaePrizrenit. net”.

Veprimi kësisoj çon në dyshimin nëse diçka fshihet në këtë rast?

Në njoftimin e DTZHE-së thuhet se lista e përfituesve është përcaktuar pas shqyrtimit dhe vlerësimit të kërkesave nga ana e komisionit.

Për këtë mendojmë se ka qenë e udhës të publikohet edhe shuma e përfituesve, kur dihet se paratë janë nga fondi publik dhe po ashtu ka pasur edhe një konkurs publik.

Si duket drejtoritë e Komunës së Prizrenit, një formë të tillë tashmë e kanë bërë praktikë. Ngjashëm ka vepruar në fillim të prillit edhe Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport (DKRS), kur shpalli listën e përfituesve, të mbështetjes financiare nga kjo fushë, për çka edhe ka shkruar “GazetaePrizrenit.net”.

Shtrohet pyetja, a mund të konsiderohen veprime të këtilla si transparencë e mirëfilltë, që ishte premtuar?

Po ashtu, habit fakti se deri tash nuk është dukur ndonjë reagim nga organizatat joqeveritare, të cilat merren me monitorimin e transparencës. Do përmendur se ka kohë që nga to nuk ka pasur deklarim zyrtar për gjendjen në Komunën e Prizrenit, pavarësisht ndonjë deklarimi personal në rrjetet sociale.

Pas publikimit të listave të përfituesve në turizëm, ka pasur një reagim nga kuvendari i AAK-së në Kuvendin Komunal, Ilir Baldedaj, por ai ka akuzuar drejtuesit e lartë komunal se kanë  favorizuar njerëzit e afërt me zyrtarët, ndërsa nuk ka përmendur mospublikimin e shumës së secilit përfitues. /GazetaePrizrenit.net/

Për ta parë listën klikoni në linkun:  Lista e përfituesve

Asnjë koment

Comments are closed.