21-05-2024

A po “ngjallet” LDK dhe opozita në Prizren për sfidimin e qeverisjes Totaj?

LDK në Prizren së fundi ka dhënë sinjal se po “ringjallet”, drejt një opozitarizmi serioz ndaj qeverisjes lokale të Shaqir Totajt. Duket se kryetari i sapozgjedhur, Driton Selmanaj, tashmë i ka konsoliduar radhët përbrenda degës, për ta lëvizur “lokomotivën e fjetur”, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.

Para dy dite ajo, ka dorëzuar në Prokurorinë Themelore të Prizrenit tre Kallëzime Penale ndaj drejtorëve të Totajt, qeverisja e të cilit prej dy vitesh nuk është sfiduar seriozisht, pavarësisht numrit më të madh të kuvendarëve nga opozita (VV, LDK).

LDK e ka e humbur pushtetin e mbajtur tetë vjet në krye me Eqrem Kryeziun, në fund të vitit 2007.  Prej atëherë, partia më e vjetër politike shqiptare e Kosovës, jo vetëm që nuk ka arritur ta “tregoj veten” në Prizren, por për më keq është vlerësuar si një patericë e pushteteve.  Në këtë kontekst sa më shumë “forcoheshin e përfitonin” individë të LDK-së, aq më shumë binte subjekti, duke humbur edhe bastionet tradicionale.

LDK aktualisht i ka 7 anëtarë nga gjithsej 41 sosh sa ka në Kuvendin Komunal (KK). Bashkë me ata të Vetëvendosjes dhe disa të tjerë nga radhët e partive nga komunitetet, numerikisht, si të deklaruar ata përbëjnë shumicën apo opozitën. Përkundër kësaj, deri tash qeverisja lokale e Totajt, që mund të cilësohet si amatore, me drejtorë joprofesionistë e të papërvojë në menaxhimderi tash i ka kaluar pa problem vendimet e saj, edhe pse opozita e akuzon kryetarin Totaj si të “kapur” dhe që s’mund ta shkarkojë as një drejtoreshë, duke tërqehur vendimet e nënshkruara paraprakisht).

Një meritë të madhe në këtë drejtim e kanë edhe asamblistët e opozitës, që jo vetëm nga opinioni, por edhe brenda partive të tyre konsiderohen si “të shitur” tek pushteti.

Refuzimi i fundit nga LDK për votimin e Komisioneve përzgjedhëse të drejtorëve të shkollave në KK, të cilin ndonëse pushteti u mundua ta kontrabandojë pa votat e mjaftueshme, të cilin më pas e anuloi për mungesë kuorumi Ministria e APL-së (pas ankesës nga Lëvizja VETËVENDOSJE! në Prizren), ka treguar fuqinë e opozitës së këtushme kur njëzëri është në interes të qytetarëve. Këtë pikë e refuzuan edhe vetë kuvendarë të PDK, si Bujar Hasani, që tashmë doli nga ky grup, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.

Deri tash,  jo vetëm që opozita nuk i shkaktoi “telashe” pushtetit, por realisht hiq disa kuvendarë, vështirë ta saktësosh opozitarin “sagllam”.

LDK është partia e tretë për nga votat, andaj përbën një faktor të rëndësishëm politik në Prizren, apo vendimtar në përcaktimin e Kryetarit të Komunës. Falë vullnetit të saj, më 2017 fitoi Mytaher Haskuka (VV) duke mundur në balotazh Shaqir Totajn, përkundër që mori afro 5 mijë vota më shumë në rrethin e parë. Ndërkaq, vetëm mosmirënjohësit nuk e pranojnë ndihmën e elektoratit të LDK-së për fitoren e Totajt, në zgjedhjet e fundit. Ky as që kishte gjasa teorike ta mundte Haskukën, kur dihej se pos pushtetit lokal, VV-ja mbante edhe atë qendror,  të fituar me 51 % nga Kryeministri Kurti, vetëm 8 muaj para zgjedhjeve lokale.


Foto gjatë aksionit para “Shtëpisë së Bardhë” – Prizren

Dega e LDK-së, ka bërë kritika të ashpra ndaj pushtetit të PDK-së edhe në ndonjë aksion simbolik sikur ai para një viti “kundër shitjes së vendeve të punës deri në 7 mijë euro me moton “Shaqa Farm”, mbajtur para selisë së KK-së, e konference shtypi, ku janë adresuar shkeljet e qeverisjes Totaj, por raste të tilla nuk u “reprizuan”.

Veprimet këmbëngulëse opozitare, jo vetëm me deklarime, por edhe duke i dërguar “shkeljet e keqpërdorimet” në organet e drejtësisë madje edhe në Prishtinë, mbetet të shihen në të ardhmen. Tash, kjo parti përmes Kuvendit e ka zgjedhur kryetarin Selmanaj, njohës i rrethanave politike dhe zyrtar që ka vizituar edhe “Shtëpinë e Bardhë” në Amerikë. Ai njëherësh është deputet në Parlamentin e Kosovës, pozitë kjo që i krijon mundësi e hapësirë të madhe veprimi. / Gazeta e Prizrenit /

Lexo edhe:

Prizren: LDK dorëzon në prokurori tre kallzime penale ndaj drejtorëve të Komunës

Asnjë koment

Comments are closed.