13-04-2021

Admir Shala rizgjidhet kryeprokuror i Prizrenit

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), i ka rizgjedhur edhe për nga një mandat në krye të Prokurorive Themelore në Pejë, Prizren dhe Ferizaj, kryeprokurorët aktual, Agim Kurmehaj, Admir Shala dhe Shukri Jashari.

Kurmehaj u rizgjodh kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Pejë, me 11 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sindikata e Policisë paralajmëron masa nëse Qeveria nuk i merr parasysh kërkesat e tyre
Kurmehaj kishte qenë i vetmi kandidat i propozuar nga paneli vlerësues, pasi siç tha kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni, dallimi me kandidatin tjetër kishte qenë më i madh se tre pikë.

Kurse, Admir Shala u rizgjodh në krye të Prokurorisë Themelore në Prizren pasi shtatë anëtar të KPK-së votuan për kandidaturën e tij.

Në garë ishte edhe prokurorja Ervehe Gashi e cila mori katër vota.

Edhe një mandat shtesë në krye të Prokurorisë Themelore në Ferizaj e fitoi kryeprokruori aktual i kësaj prokurorie, Shukri Jashari.

Jashari mori votat e 11 anëtarëve të KPK ndërsa nuk kishte kundër kandidat.

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), më 3 nëntor kishte shpallur konkurs për emërimin e kryeprokurorëve të Prokurorisë së Apelit dhe Prokurorive Themelore të Prizrenit, Gjilanit, Ferizajt, Mitrovicës dhe Gjakovës.

Këto konkurse kishin qenë të hapura nga 4 e deri më 18 nëntor 2020, ndërsa detyrën, të zgjedhurit do ta fillojnë më 1 janar 2021, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, pak ditë para se të shpalleshin konkurset për kryeprokuror të ri, tre anëtar të KPK-së, Dëshirë Jusaj, Zejnullah Gashi dhe Arben Ismajli kishin dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre të anëtarëve të KPK. Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), më 8 tetor 2020, kishte reaguar ndaj praktikës së dorëheqjeve të anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), me mundësinë për të aplikuar për pozitën e kryeprokurorit të një prokurorie përkatëse.

Sipas IKD-së, zgjedhja eventuale e ish-anëtarëve të KPK-së, Zejnullah Gashi, Dëshirë Jusaj dhe Arben Ismajli në pozitën e Kryeprokurorit, duke dhënë dorëheqje pak para shpalljes së konkursit për kryeprokurorë të shumicës së prokurorive themelore, nëse dëshmohet se ka qenë me qëllim të zgjedhjes në këtë pozitë, është rast tipik i ndalesës së zyrtarit të lartë publik sipas nenit 18 të Ligjit nr.06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik.

IKD kishte kërkuar që me qëllim të shmangies nga konflikti i interesit, ruajtjes së integritetit të sistemit prokurorial dhe besimit të publikut në këtë sistem, të njëjtit anëtar mos të aplikojnë në pozitat për kryeprokurorë dhe nëse kjo ndodhë, KPK mos të lejojë kandidaturën e ish-anëtarëve Zejnullah Gash, Dëshirë Jusaj dhe Arben Ismajli.

Pas IKD-së, kishte reaguar edhe Ambasada Amerikane në Kosovës, e cila procesin e zgjedhjes së kryeprokurorëve dhe të anëtarëve të KPK-së e kishte quajtur sistem të prishur rrënjësisht, duke bërë të ditur se ishte tërhequr nga monitorimi i këtyre zgjedhjeve.

Po ashtu, duke cituar arsyet të ngjashme, nga monitorimi ishte tërhequr edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Pas këtyre reagimeve, Arben Ismajli dhe Zejnullah Gashi kishin revokuar dorëheqjet e tyre, ndërsa Dëshirë Jusaj nuk e kishte bërë një gjë të tillë. E njëjta tashmë ka kandiduar për tu zgjedhur kryeprokurore e Prokurorisë Themelore në Gjakovë.

Asnjë koment

Comments are closed.