Afro 24 mijë lëndë të pazgjidhura në Gjykatën e Prizrenit
Gjykata Themelore në Prizren gjatë vitit të shkuar ka funksionuar me numër të pamjaftueshëm të gjyqtarëve, të bashkëpunëtorëve profesionistë dhe të personelit administrativ. Drejtuesit e kësaj gjykate kanë thënë se këto mungesa kanë sfiduar punën e këtij institucioni të drejtësisë.
Ndonëse, sipas statistikave, efikasiteti i kësaj gjykate dhe degëve të saj vitin e fundit është gati i qindpërqindtë, në pritje të trajtimit janë edhe afro 24 mijë lëndë, pasojë edhe e numrit të madh të rasteve të trashëguara gjatë viteve, shkruan sot “Koha Ditore”.
Kryetari i Gjykatës Themelore në Prizren, Ymer Hoxha ka, deklaruar se në këtë gjykatë ka vend edhe për gjashtë gjyqtarë.
“Neve me sistematizim na takojnë edhe gjashtë gjyqtarë. Mungesa e numrit të duhur të gjyqtarëve, sikurse edhe lëvizjet e shumta të tyre kanë ndikuar që rezultati të mos jetë qysh jemi mësuar në nivelin qind për qind. Mirëpo po shpresojmë që tani Këshilli Gjyqësor i Kosovës e ka parasysh këtë sfidë tonën dhe në një të ardhme të afërt presim që numri i gjyqtarëve të plotësohet”, ka thënë Hoxha, duke shtuar se aktualisht është duke u zhvilluar faza e intervistimit dhe se emërimi i tyre pritet të ndodhë brenda një kohe të shkurtër./Koha.net
Comments are closed.
Për më të rejat nga Gazeta e Prizrenit.