18-04-2026

Kroacia kundërshton Vuçiqin për marrëveshjen me Shqipërinë dhe Kosovën

Kroacia ka hedhur poshtë pretendimet e presidentit serb Aleksandar Vuçiqin lidhur me marrëveshjen e sigurisë mes saj, Shqipërisë dhe Kosovës, duke e akuzuar atë për keqinterpretim të qëllimshëm.

Ministria kroate e Mbrojtjes theksoi se marrëveshja nuk ka karakter ushtarak, por synon bashkëpunim teknik, shkëmbim njohurish dhe koordinim në industrinë e mbrojtjes për të forcuar stabilitetin rajonal. Sipas Zagrebit zyrtar, dokumenti është pjesë e përpjekjeve për të mbështetur integrimin euroatlantik të Shqipërisë dhe Kosovës.

Ministri i Mbrojtjes, Ivan Anusiq, ka deklaruar se shqetësimet e ngritura nga Beogradi janë të pabazuara dhe ka rikujtuar edhe marrëveshjen e vitit 2010 mes Serbisë dhe Kroacisë, e cila sipas tij është më e gjerë se kjo nismë trepalëshe.

Ndërkohë, NATO u ka bërë thirrje palëve të veprojnë me përgjegjësi, ndërsa Kroacia ka theksuar se si anëtare e BE-së dhe NATO-s do të vazhdojë të ndjekë një politikë të pavarur dhe transparente në rajon.

Asnjë koment

Comments are closed.