02-12-2024

AKB: Në Kosovë brenda vitit mbyllen rreth dy mijë biznese

Mesatarisht në vit në Kosovë mbyllen rreth dy mijë biznese. Ky trend i falimentimit e pushimit të aktiviteteve të bizneseve viteve të fundit shkon në miliarda, sipas të dhënave të Aleancës së Bizneseve të Kosovës (ABK).

Kryetari i ABK-së, Agim Shahini, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se shuarja e bizneseve në Kosovë është një trend në vazhdimësi që nga viti 2002.

Ai thotë se AKB-ja mat trendin e ndërmarrësisë ndër vite dhe se mesatarja e hapjes, siç thotë ai shkon në rreth 8000 biznese në vit, kurse mbyllen diku rreth dy mijë biznese në vit, raporton Ekonomia Online.

Shahini tha se nëse një biznes ka më shumë se gjashtë muaj që nuk krijon të hyra për vete dhe për shtetin, sipas tij i bie që ky biznes ka shuar aktivitetin e tij në mënyrë joformale.

“Shuarja e Bizneseve në Kosovë është një trend në vazhdimësi që nga viti 2002 e këndej. AKB-ja mat trendin e ndërmarrësisë ndër vite dhe mesatarja është diku që janë hap rreth 8000 biznese në vit dhe mbyllen mesatarisht edhe dy mijë biznese në vit, dhe ky është një trend mesatar gjatë viteve, por trendi i shuarjes së falimentimit, pushimit të aktiviteteve të bizneset viteve të fundit është miliarda”, tha Shahini.

Shahini thekson se për ta shuar një biznes në formën zyrtare është një procedurë e ngarkuar dhe bizneset, prandaj sipas tij shpesh e shuajnë aktivitetin e vet, por zyrtarisht nuk arrijnë për shkak të procedurave.

“Numri i këtyre bizneseve brenda 4 viteve të fundit është diku rreth 18 mijë biznese që mesatarisht supozohet që kanë pasur një deri në dy të punësuar e që ky numër mund të jetë shumë i lartë në krahasim me bizneset e reja që janë hap brenda 4 viteve, dhe brenda 4 viteve janë hapur 42 mijë e 900 biznese që supozohet, prapë këta kanë pasur një deri në dy të punësuar që mesatarisht janë punësuar rreth 55 mijë punëtorë në kompanitë e reja. Por, vlen të theksohet se kompanitë e reja të regjistruara shpesh regjistrohen dhe nuk bëjnë aktivitet, kurse kompanitë e shuara ato kanë bërë aktivitet kanë punuar dhe kanë mbetur pa aktivitet dhe pa të mira për veti, për kompaninë dhe për familjen e vet”, ka thënë Shahini.

Shahini tha se ikja e të rinjve nga Kosova përfshinë të gjitha profesionet dhe se tash, sipas tij, kjo po dëmton kompanitë.

Ndërsa, për pagat në Kosovë tha se janë rritur dukshëm, “nga viti 2002 e deri në vitin 2023 pagat në Kosovë janë rritur në 202 për qind”.

Por, pavarësisht kësaj, ai bënë të ditur se qytetarët po ikin nga Kosova.

“Ikja e punëtorëve të Kosovës është nga të gjitha profesionet, duke përfshirë këtu punëtorët e thjeshtë, punëtorët profesional, inxhinier, polic, ushtarë, mjek, farmacist, infermieri, dhe ky është një trend që ka një shifër 4 vjeçare mbi 200 mijë qytetarë të vendit. Mbi 35% të tyre kanë qenë të punësuar dhe kanë pasur pagën mbi 400 euro dhe kjo është për neve shqetësim i madh se po na ik truri lirisht të themi i profesionalistëve të Kosovës”, tha Shahini.

Ai tha se shteti duhet të bëjë çmos që ta ndal trendin e ikjes, të krijojë mundësi dhe po ashtu t’i rris pagat, e që sipas tij ndikon direkt në rritjen e standardit jetësor.

“Nëse marrim trendin e rritjes së pagave nga viti 2002-2004 deri në vitin 2023, pagat në sektorin publik janë rritur 202%. Vetëm në periudhën 2004-2015 janë rritur pagat 150% në sektorin publik, nga 2015 e këndej janë rritur pagat edhe 50% që e kap vlerën totale 202%, kurse në sektorin privat nga viti 2004 deri në vitin 2023 janë rritur pagat 64%. Mesatarisht aq ka qenë edhe inflacioni në periudhën 2002-2023. Prandaj, pagat mbesin problemi kryesor pse qytetarët na ikin nga vendi, apo pse kërkon standard jetësor më të mirë secili qytetar i vendit, secili profesion dhe ne do të duhet t’i krijojmë këto kushte qoftë në sektorin privat dhe publik që punëtorët tonë t’a kanë jetën minimale të siguruar me pagat e veta në mënyrë që të ndalet trendi i ikjes”, tha ai.

Shahini tha se pasojat që do të ketë ekonomia në vend janë të larta dhe janë të dukshme, sepse siç deklaron ai nga 213 mijë punonjës që kanë ikur, 135 për qind prej tyre janë profesionist të fushave. Prandaj, kjo ai alarmon se e varfëron fuqinë punëtore.

“Pasojat janë të larta dhe janë të dukshme nga 213 mijë të ikur, rreth 35% janë profesionist  të fushave të ndryshme që kanë qenë në puna qoftë në sektorin privat dhe publik dhe kjo neve na varfëron fuqinë punëtore në treg të punës e varfëron konsumin njëkohësisht e varfëron edhe tregun natalitetin dhe të gjitha këto janë varfëri të vendit”, tha Shahini.

Ndërkaq, ai tha se fuqia konkurruese në Kosovë është e garantuar me Kushtetutën e Kosovës të nenit 10 dhe janë treg i lirë dhe i  hapur, dhe pikërisht për këtë arsye Shahini tha se kanë të drejtë të hapin kompani dhe të gjejnë punëtorë jashtë vendit.

“Fuqia konkurruese në Kosovë është e garantuar me kushtetutën e Kosovës neni 10 dhe këto janë treg i lirë dhe treg i hapur. Prandaj, ne kemi të drejtë edhe të hapim kompani edhe të gjejmë punëtorë edhe jashtë vendit. Ky trend ka vazhduar në vitin e kaluar ku mbi 5 mijë të huaj kanë ardhur në Kosovë dhe punojnë. Ky është një shqetësim për ne, për arsye se ne i kemi të rinjtë tonë këtu. Këta ikin shkojnë diku dhe ne marrim nga dikush. Kështu që kjo është ndoshta jo e drejtë e institucioneve të Kosovës që nuk marrin veprime konkrete për të ndalë këtë trend negativ”, tha Shahini.

Shahini tha se pas pandemisë tregu është hapur dhe ka qenë rritje artificiale, prandaj edhe inflacioni thekson se ka ndikuar negativisht tek vendi dhe ekonomia. “Ekonomia e vendit gjatë udhëtimit të vet ka pasur tronditje, turbulenca të ndryshme natyrisht edhe rritje, por rritja e ekonomisë së vendit do të vlerësohet çfarë do kohe nëse a ia ka lënë shifrën dy shifrore, nëse ne e vlerësojmë se kur kemi pas investime më të mëdha, atëherë ato kanë qenë para vitit 2020. Nëse ne e vlerësojmë kur ka pasur rritje më të madhe në shifra ka qenë viti 2022, e cila ka qenë rritja më e madhe ekonomike dy shifrore, por për shkak ajo ka qenë pas mbylljes së pandemisë u hap tregu dhe ka qenë një rritje artificiale, prandaj edhe inflacioni e ka bërë të vetën. Inflacioni ka ndikuar negativisht tek vendi dhe tek ekonomia e vendit, por institucionet e shtetit të Kosovës kanë marrë veprime simbolike për të rritur ekonominë e vendit dhe për ta luftuar varfërinë dhe për ta luftuar edhe inflacionin të cilin nuk varet vetëm prej neve, por prapë se prapë Kosova dhe ekonomia e saj po ec falë sektorit privat pa mbështetje nga shteti”, përfundoi Shahini.

Asnjë koment

Comments are closed.