Aksion kundër bixhozit në Prizren, arrestohet i dyshuari që organizonte lojëra fati
Bixhozi i paligjshëm siç duket po lulëzon edhe në Prizren dhe një rast i tillë u zbulua së fundmi, raporton Gazeta Sinjali, ku një person që po dyshohet se ka organizuar lojëra fati në rrugën “Tahir Sinani” përfundoi në prangat e Policisë të enjten në mëngjes dhe tashmë ndodhet në mbajtje.
Bazuar në informacionet që ka Sinjali, pasi Policia është vënë në dijeni lidhur me informacionet për organizimin e lojërave të tilla, janë ndërmarrë veprimet e nevojshme që çuan në identifikimin e të dyshuarit.
I riu që po dyshohet për këtë rast ka organizuar dhe shpërndarë baste online, përmes një faqeje në internet – duke vepruar kështu jashtëligjshëm.
Si rezultat, i dyshuari u prangos dhe u shoqërua në stacion policor, ndërsa telefoni i është sekuestruar në cilësi të provës materiale.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit.