26-04-2024

Aktakuza: Për çka akuzohen disa ish-drejtorë komunal të Prizrenit, përfshirë edhe shefen e kabinetit të Haskukës

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër zyrtarëve të Komunës së Prizrenit: I.Th., F.M., R.M., E.B., K.K., të ngarkuar për korrupsion si dhe ndaj A.K dhe V.B, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “Dëmtimi, shkatërrimi dhe nxjerrja e paautorizuar e monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës” dhe “Uzurpim i paligjshëm i pronës së aluajtshme”.

Kjo është bërë e ditur përmes një komunikate për medie nga Prokuroria Themelore në Prizren.

Lexo edhe:

Në Prizren u përurua libri “Ngjarjet e lavdisë”, një kujtesë historike për vitet e 90-ta (foto)

Sipas aktakuzës, më 22 shkurt 2019, në rrugën “Pushkatarët” në Prizren, të pandehurit duke vepruar në cilësi të personave zyrtarë, I.Th., në cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë për Inspekcion të Komunës së Prizrenit, F.M., në cilësi të Drejtorit të Drejtorisë për Ubanizëm e Planifikim Hapësinor të Komunës së Prizrenit, R.M., në cilësi të bashkëpunëtorit Profesional të Drejtorisë për Urbanizëm e Planifikim Hapësinor të Komunës së Prizreni, E.B., si inspektor i ndërtimtarisë pranë Drejtorisë për Inspekcion të Komunës së Prizrenit dhe K.K., në cilësi të shefes së kabinetit të Kryetarit të Komunës së Prizrenit, i tejkalojnë detyrat e tyre zyrtare.

Aktakuza thotë se në kundërshtim me “Ligjin për inspekcionin e mjedisit, ujërave, natyrës dhe planifikimit hapësinor”, “Ligjin për qendrën historike të Prizrenit”, si dhe në kundërshtim me “Ligjin për vetëqeverisje lokale”, me dije formojnë komision për vlerësimin e ndërtimit të objektit nga investitorët A.K., dhe V.K., dalin në terren, inspektojnë ndërtimin dhe shfuqizojnë urdhër-ekzekutimin e Inspektoratit Komunal të Ndërtimtarisë të Drejtorisë së Inspektorateve të Komunës së Prizrenit të 3 dhjetorit 2018, ndërprejnë punimet rreth rrënimit, me arsyetimin se mund të dëmtohet objekti fqinj “Teqeja Melami”, i cili objekt është i mbrojtur me Ligjin për Qendrën Historike të Prizrenit, duke i mundësuar investitorëve V.K., dhe A.K., ndërtimin e ndërtesës në kundërshtim me lejet për ndërtim.

Po ashtu, thuhet se u kanë lejuar atyre të bëjnë bashkimin e parcelave katastrale dhe ndërtimin e një objekti në disa parcela kadastrale, me ç’rast u kanë mundësuar përfitim investitorëve V.K., dhe A.K., në gabaritin – sipërfaqen e objekteve hoteliere, njëkohësisht kanë lejuar që këta investitor të uzurpojnë 9 m2 nga parcela katastrale e cila evidentohet në emër të pasurisë shoqërore pasuria “Teqe Melami” duke dëmtuar rëndë Qendrën Historike të Prizrenit.

Me këto veprime të pandehurit e lartcekur, në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 2, pika 2.1 dhe 2.2, lidhur me paragrafin 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Me këto veprime, të pandehurit A.K., dhe V.K., në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Dëmtimi, shkatërrimi dhe nxjerrja e paautorizuar e monumenteve ose objekteve të mbrojtura jashtë Republikës së Kosovës”, nga neni 354, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.

Po ashtu, aktakuza thotë se të pandehurit A.K., dhe V.K., prej 8 majt 2018 e në vazhdim në mënyrë të kundërligjshme kanë uzurpuar pronën e paluajtshme të personit tjetër, e cila evidentohet në emër të pasurisë shoqërore pasuria “Teqe Melami” e që konsiderohet  tokë ndërtimore, me ç’ rast i kanë shkaktuar dëm Komunës së Prizrenit në vlerën e 9 m2.

Me këto veprime, të pandehurit ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme” neni 332 paragrafi 2 pika 2.1 e lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal.

“Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit, po ashtu tu shqiptohen dënimet plotësuese “Ndalimi i ushtrimit të funksioneve në Administratën Publike ose në Shërbimin publik” si dhe “Urdhëri për publikimin e aktgjykimeve”, thuhet në fund të njoftimit. /BetimipërDrejtësi

 

Asnjë koment

Comments are closed.