20-04-2024

Aktakuzë ndaj ish-rektorit të Universitetit të Prizrenit, Ramë Vata

Prokuroria e Prizrenit ka ngritur aktakuzë ndaj ish-rektorit të Universitetit të Prizrenit, Ramë Vata.

Aktakuza është ngritur nën dyshimin se Vata ka cënuar të drejtën e punësimit karshi kandidatit për punësim në Universitetin që ai e drejtonte, Vehbi Miftari, raporton Kallxo.

Lexo edhe:

Ndër dështimet e shumta, Komuna e Prizrenit edhe me mungesë transparence (Dokument)

Lutfi Morina, zyrtar i lartë në Prokurorinë e Prizrenit ka konfirmuar se aktakuza është ngritur më 10 qershor të këtij viti.

Vata akuzohet se nga data 30.09.2017 e deri në tetor të vitit 2018, në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren në cilësi të Rektorit të Universitetit, ia mohoi apo kufizon personave tjerë të drejtën në punësim në kushte të njëjta.

Sipas Prokurorisë ai nuk e kishte zbatuar vendimin e Sektorit të Inspeksionit të Arsimit në Prizren të datës 14.09.2017, përmes të cilit urdhërohej Universiteti që të rishqyrtojë konkursin e datës 01.08.2016.

Ai në atë vendim ishte urdhëruar të themelojë komision recensues me kompetencë profesionale dhe kredibile në fushat specifike të publikuara në konkurs, të garantojë respektimin e akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi, të trajtojë barabartë të gjithë pjesëmarrësit në konkurs si dhe Universiteti të përzgjedhë komision recensues të veçantë për çdo fushë.

“Vendim i cili në mënyrë të plotë nuk është zbatuar nga i pandehuri, me ç’rast të dëmtuarit Vehbi Miftari ia ka mohuar apo kufizuar të drejtën në punësim në kushte të njëjta me personat tjerë pjesëmarrës në konkurs.”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

I kontaktuar nga KALLXO Vata ka thënë se nuk ka dëgjuar asgjë në lidhje me këtë aktakuzë.

Ramë Vata mbajti pozitën e rektorit të Universitetit të Prizrenit deri në vitin 2018, ndërkaq tani këtë pozitë e mban Ismet Temaj.

Asnjë koment

Comments are closed.