Aktakuzë për falsifikim parash, mbi 100 mijë euro të rreme u sekuestruan
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet S.S., nën dyshimin për veprën penale “Falsifikimi i parasë”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, i dyshuari më 9 dhjetor 2024, rreth orës 15:10, në magjistralen Gjilan–Prishtinë, ishte kapur duke poseduar një shumë të konsiderueshme bankënotash false, të cilat dyshohet se kishte synim t’i fuste në qarkullim.

Vlera totale e parave të falsifikuara arrinte në 105 mijë euro.
Pas ekzaminimeve të kryera nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë, është konstatuar se të gjitha bankënotat e sekuestruara ishin të falsifikuara.
Rasti tashmë pritet të trajtohet në procedurë gjyqësore nga organet kompetente.


