Aktakuzë pronarit të fabrikës, ku vdiq 17 vjeçari, Seldin Alija, nga Lubizhda e Prizrenit
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë kundër personit juridik gjegjësisht kompanisë së stiroporit me seli në fshatin Mushnikovë, Komuna e Prizrenit, dhe kundër personit përgjegjës me inicialet A.B., për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas aktakuzës, i ndjeri S.A., nga fshati Lubizhdë – Komuna e Prizrenit ka qenë i angazhuar me kontratë sezonale në fabrikën e stiroporit pronë e të akuzuarit A.B.
Referuar Prokurorisë, akuza ka të bëj me rastin e 17 vjeçarit, Seldin Alija, që gjeti vdekjen në vendin e tij të punës, në qershor të vitit të kaluar.
Kështu, me datë 30.06.2018, rreth orës 11:30 në fabrikën e stiroporit e cila gjendet në fshatin Mushnikovë të Prizrenit, derisa i ndjeri ishte duke punuar në vendin e tij të punës në makinën për riciklimin e mbeturinave të stiroporit, dhe duke mos qenë i trajnuar dhe udhëzuar për mënyrën e përdorimit të makinës, në një moment e kap thesin e mbeturinave pezull dhe tenton ta shkund në makinë, dhe papritmas në mungesë të masave mbrojtëse, makina duke e tërhequr thesin, e tërheq edhe viktimën bashkë me të, me ç’rast i njëjti edhe humb tragjikisht jetën.
Në këtë mënyrë, i akuzuari A.B., si person juridik dhe si person përgjegjës për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës, nuk vepron në pajtim me dispozitat apo rregullat teknike mbi masat për sigurinë në vendin e punës dhe me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, nga neni 367, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 3 dhe paragrafin 7 të KPRK-së.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të akuzuarit të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila u vihet në barrë./GazetaePrizrenit.net/