Akuzohet edhe një grua tjetër për vrasjen e vitit 2018 në Malishevë

E akuzuara për vrasjen e Sefer Berishës në Malishevë, Nafije Rrafshi, nuk do të gjykohet më e vetme për këtë rast. Kjo pasi që Prokuroria në Gjakovë për këtë vrasje po e akuzon edhe vajzën e saj, Behare Nura.

Në janar të vitit 2020, prokurori i rastit Ali Uka, me anë të një parashtrese e kishte njoftuar gjykatën se ka nxjerrë aktvendim për zgjerim të hetimeve edhe ndaj dy të pandehurve tjerë, përkatësisht ndaj Behare Nurës dhe Granit Alushanit, me dyshimin e bazuar se në bashkëkryerje me të akuzuarën Nafije Rrafshin e kanë kryer veprën penale të vrasjes.

E pas gati një viti, në dhjetor të vitit 2020, këto hetime kanë rezultuar me ngritjen e një aktakuze edhe ndaj Behare Nurës, me dyshimin se  e njëjta së bashku me Nafije Rrafshin kanë kryer veprën penale të vrasjes, ndërsa Granit Alushani po ngarkohet vetëm me veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

Sidoqoftë, këto akuza e akuzuara Nura i ka mohuar në seancën e mbajtur më 22 dhjetor 2020, ndërsa i akuzuari Alushani ka pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje.

Edhe e akuzuara Nafije Rrafshi ishte deklaruar e pafajshme për veprën penale të vrasjes në seancën fillestare të mbajtur më 4 mars të vitit 2019.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur më 1 dhjetor 2020, Behare Nura  po akuzohet se më 4 gusht 2018, rreth orës 9:30, në rrugën “Habib Zogaj” në fshatin Lladrovc të Malishevës, me dashje në bashkëkryerje me të akuzuarën Nafije Rrafshi, për motive të panjohura kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Sefer Berisha, i moshës 57 vjeç.

Tutje sipas aktakuzës, ato vrasjen e kanë kryer në atë mënyrë që gjersa tani i ndjeri Berisha ishte duke drejtuar automjetin e tij të udhëtarëve të tipit “Opel Vectra” dhe në momentin kur arrinë  në rrugën “Habib Zogaj”, e akuzuara Nafije me të vërejtur tani të ndjerin gjersa ishte duke drejtuar automjetin “Alpha Romeo”, në të cilin automjet ndodhej edhe e akuzuara Behare, e akuzuara Nafije e ndalon automjetin pak më larg nga vendi i ngjarjes, që të dyjat dalin nga automjeti dhe i afrohen automjetit të tani të ndjerit i cili kishte dalë nga rruga dhe ndalur në një breg në afërsi të pyllit dhe nga një largësi për momentin të panjohur njëra prej të akuzuarave me revolën e tipit TT kalibër 7.62mm shtënë nga jashtë automjetit në drejtim të ulëses ku ishte i ulur i ndjeri, ashtu që me njërën prej të shtënave e qëllon atë në anën e majtë të qafës ndërsa me të shtënën tjetër në kokë mbi veshin e djathtë.

Për këtë, po akuzohen se kanë kryer veprën penale “vrasje” nga neni 178 i KPRK-së.

E akuzuara Nura po ngarkohet edhe me veprën penale të armëmbajtjes pa leje, përkatësisht për mbajtjen pa autorizim të armës të tipit TT kalibër 7.62mm së bashku me 19 fishekë të cilën armë e ka përdorur si në dispozitivin e përshkruar më lartë.

Për armëmbajtjen pa leje të armës dhe fishekë të përshkruar më lartë po ngarkohet edhe Granit Alushani, në atë mënyrë që atë armë të akuzuarit Granit ia jep bashkëshortja e tij Adelina ashtu që më parë atë armë e akuzuara Nafije ia kishte dhënë dëshmitares, përkatësisht vajzës së saj Adelinës për t’ia ruajtur.

Ndryshe, sipas aktakuzës së 19 janarit 2019 e akuzuara Nafije Rrafshi, akuzohet se më 4 gusht 2018, rreth orës 09:30 në fshatin Lladrovc, Komuna e Malishevës, me dashje për motive të panjohura, ka privuar nga jeta 57 vjeçarin, tani të ndjerin Sefer Berisha.

Në aktakuzë thuhet se rasti ka ndodhur në atë mënyrë që gjersa tani i ndjeri Sefer Berisha, me automjetin e tipit “Opel Vectra”, dhe në momentin kur arrin në rrugën “Habib Zogaj”, e pandehura derisa ishte duke e vozitur automjetin e tipit “Alfa-Romeo”, me të vërejtur tani të ndjerin, e ndalon automjetin pak më larg nga vendi i ngjarjes hynë në automjetin e tani të ndjerit dhe që të dy dalin nga makinat ku qëndrojnë në breg në afërsi të një pylli dhe pas një fjalosje dhe kacafytje e pandehura nga çanta e nxjerrë një revole të tipit “TT”, kalibri 7.62 mm dhe e godet njëherë në qafë dhe pastaj në kokë atë si dhe largohet në drejtim të panjohur.

Me këtë, ajo akuzohet se ka kryer veprat penale “vrasje”, nga neni  178 të KPRK-së si dhe “mbajtje në pronësi, posedim  ose kontroll të paautorizuar të armës”, nga neni 374 par.1 i KPRK-së. /BetimipërDrejtësi