05-10-2024

Albanian Post: Manastiri i Deçanit afër marrjes së një prone tjetër 2 km më larg tyre

Albanian Post duke u bazuar në burime brenda Ministrisë Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komunës së Deçanit dhe institucioneve tjera, raporton se Manastiri i Deçanit është afër “përvetësimit të vendit të quajtur “Kulla e Qelisë”, që është plotë 2 kilometra e 100 metra larg Manastirit të Deçanit dhe praktikisht përfshin rreth 70 për qind të pjesës që është e përcaktuar si Zonë e Veçantë e Mbrojtjes me Ligjin me të njëjtin emër”.

Nëse shihni në hartën e prezantuar, pjesa e 24 hektarëve tokë është kjo në fund të zonës së rrethuar me ngjyrë të verdhë, pas emrit të manastirit, kurse nga manastiri e deri te pjesa e quajtur “Kulla e Qelisë” është zona tjetër që po e pretendon Manastiri.

E gjithë zonë e Veçantë e Mbrojtur ka hapësirë prej 839.6 hektarësh.Sipas informatave që ka marrë Albanian Post nga brenda Ministrisë së Kulturës, te “Kulla e Qelisë” janë gjetur disa gërmadha që sipas ekspertëve dhe arkeologëve është e mundshme të përcaktohet me saktësi që bëhet fjalë për objekt të ndërtuar në mes të shekujve 4-6, por Manastiri po i pretendon si të vetat, përkundër se vetë është i ndërtuar në shekullin 14, mes viteve 1321-1330 në kohën e sundimit të Stefan Decanskit.

Po ashtu, Albanian Post merr vesh se klerikët e Manastirit kanë gjetur përkrahje për pretendimet e tyre te ndërkombëtarët.

“UNMIK-u dhe një ambasadë e huaj tashmë ka siguruar donacion për Manastirin që të fillojë riparimin në atë pjesë”, ka thënë burimi i Albanian Post brenda ministrisë.

Pretendimet e Manastirit janë përqafuar, sipas burimit, për shkak se gërmadhat e objektit të vjetër janë gjetur në brendi të zonës së mbrojtur dhe me Ligjin për këto zona thuhet se qëllimi është “të sigurojë mbrojtjen e Manastireve Ortodokse Serbe, Kishave, vendeve të tjera fetare, si dhe vendeve historike dhe kulturorë të një rëndësie të veçantë për Komunitetin Serb si dhe për komunitetet e tjera në Republikën e Kosovës”.

Kosova gjithashtu ka marrë obligime të tjera ndërkombëtare në këtë drejtim, përveç ligjit, kur ka pranuar Marrëveshjen e arritur në Bruksel në mes të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Neni 7 i marrëveshjes, që shpesh Kurti i referohet si Bazike, pos tjerash saktëson se: “Palët do të zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”.

Me këtë nen Kosova ka pranuara të diskutojë në dialogun e Brukselit rreth statusit që duhet të ketë kisha ortodokse serbe në Kosovë.

Në të ardhmen do të bëhet më e qartë se çfarë është menduar me frazën “në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”, për shkak se ekzistojnë disa sosh, nga ato me autonomi më të butë brenda zonave të mbrojtura e deri ato si Vatikani, apo Selia e Shenjtë që praktikisht përbën shtet të veçantë.

Sipas shumëkujt, një nga arsyet përse ndërmjetësuesit në dialog kanë insistuar në futjen e nenit që flet për statusin e kishës serbe në Kosovë ka ardhur pikërisht nga refuzimi i Kosovës të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, me të cilin konstatohej që sipas procesit gjyqësor Manastiri i Deçanit ka të drejtë në pretendimet e veta për shkelje ligjore gjatë procesit, rrjedhimisht do të mbetet pronar i tokave të veta përreth.

Qeveria e Kosovës publikisht akoma nuk ka folur për këto pretendimet e fundit të Manastirit të Deçanit për të patronizuar edhe gërmadhat e objektit te “Kulla e Qelisë”. /AlbanianPost/

Asnjë koment

Comments are closed.