Wildlife – Albanian Photographers ka zgjedhur një mënyrë shumë origjinale për të ngritur zërin mbrojtës të atyre vlerave të natyrës, të cilave i detyrohemi. Për zgjimin e asaj vetëdijeje të topitur të institucioneve dhe individëve, të cilët duhet të shprehen përmes një vullneti veprues, se cili është roli që ata zgjedhin të jenë mbrojtës dhe promovues të faunës, kësaj pasurie që natyra na e la trashëgim.
Përmes një komunikimi, Wildlife – Albanian Photographers në bashkëpunim me Administratën e Zonave të Mbrojtura Fier dhe të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta dhe me iniciativë te “Guida Turistike Parku Kombetar Divjake-Karavasta” prezantojnë ekspozitën “Albanian Wildlife”. Kjo ekspozitë ka për qëllim promovimin e faunës së trojeve shqiptare.
Në këtë ekspozitë, fotografët pjesëmarrës vijnë nga Kosova dhe Shqipëria dhe prezantohen me fotografi të faunës të Parkut Kombëtar Divjake- Karavasta, si dhe me fotografi nga zonat e tjera shqiptare. Pas një përzgjedhjeje të kualifikuar, fotografët pjesëmarrës në këtë ekspozitë do të jenë: Ardian Fezollari, Arian Mavriqi, Besnik Jakupi, Eno Gace, Eridan Xharahi, Granit Hyseni, Jetmir Troshani, Liridon Shala, Raim Kurtaj, Taulant Bino dhe Vangjel Jorgo.
Hapja e ekspozitës do të bëhet me datën 29 qershor, ora 16:00 dhe do të qëndrojë e hapur dhe në datën 30 qershor, nga ora 9:00-19:00. Adresa: Prane Qendrës së vizitorëve të Parkut Kombëtarë Divjakë-Karavasta. Ftojmë dhe mirëpresim të gjithë artdashësit dhe dashamirët e kafshëve dhe shpendëve të egër të vijnë dhe të shijojnë shumëllojshmërinë e faunes së trojeve shqiptare, në mbështetje të “Albanian Wildlife”.
Kjo nismë e “Albanian Wildlife” është nga ato rrugëtime të gjata dhe të gjurmshme, të cilat do të lënë pas më shumë se një përpjekje, një sfidë. Sot për shumëkënd kjo qasje përngjason e pakohë, në kushtet e një situate aspak të favorshme në të cilën kacafyten vështirësitë e mbijetesës së shumë njerëzve./kohajone/