23-11-2024

Ambasadori Heldt: Gjermania qëndron pas integritetit territorial të Kosovës

Gjermania i qëndron pas integritetit territorial të Kosovës dhe është kategorikisht kundër ndryshimit të kufijve. Kështu ka thënë ambasadori gjerman në Prishtinë, Christian Heldt, në një intervistë dhënë “Kohës Ditore” me rastin e 10-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve mes Kosovës së pavarur dhe Gjermanisë.

Në intervistë ambasadori Heldt flet për rëndësinë që ka procesi i dialogut me Serbinë dhe nevojën që të shfrytëzohet ai proces edhe për përafrim me Bashkimin Evropian, ndërsa thotë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe, i dakorduar në Bruksel, duhet të formohet bazuar në udhëzimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

Heldt flet edhe për raportet bilaterale mes dy vendeve, për investimet e Gjermanisë në Kosovë dhe për vullnetin e Berlinit për ta përkrahur Kosovën në ndërtimin e shtetit demokratik ku sundon ligji. Për këtë ai thotë se shpreson që nuk do të shohë edhe një përpjekje për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, ndërsa tregon që për kohën sa është në Kosovë përshtypjen më pozitive e ka nga të rinjtë që duan ta çojnë vendin përpara, si dhe zemërgjerësia e optimizmi kosovar./koha.net/

 

Asnjë koment

Comments are closed.