19-04-2024

Analistët: Nëse LDK-VV s’arrijnë marrëveshje për dialogun me Serbinë, janë të dështuara!

Sot në orën 15:00 në zyrat te selia e Lidhjes Demokratike të Kosovës do të mblidhen grupet punuese të këtij subjekti politik me partinë fituese të 6 tetorit, Lëvizjen Vetëvendosje për të diskutuar për harmonizimin e programeve të tyre.

Por sfiduese për Qeverinë e re mbetet rifillimi i dialogut Kosovë – Serbi, i cili u ngri pas vënies së taksës 100% ndaj produkteve serbe dhe atyre boshnjake, shkruan Indeksonline.

Analistët politikë kanë vlerësuar se Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë në hap të duhur për t’u dakorduar për një marrëveshje finale me Serbinë.

Analisti, Mazllum Baraliu për Indeksonline ka thënë se nëse këto dy parti të përzgjedhura nga populli për të drejtuar vendin nuk arrijnë një marrëveshje me Serbinë, janë të dështuara dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje.

“Jam i bindur që do të dakordohen për marrëveshjen me Serbinë, e para pasi dy subjektet politike kanë fituar besimin nga votuesit për ndryshime, e dyta premtimet e tyre gjatë betejës së tyre dhe përpjekjeve opozitare gati dy vjeçare pothuajse kanë qenë në një linjë unifikuese për ndryshime për rënien e Qeverisë dhe e treta qëndrimi pothuajse identik por gjithsesi gati analog i këtyre subjekteve sa i përket çështjes së dialogut është që të ketë reciprocitet me Serbinë, dhe masat e reciprocitetit merren në mënyrë që të bëhet e pa rëndësishme çështja e tarifës, të dyjat i kanë këto qëndrime përafërsisht, mendoj që nëse këto dy qeveri nuk arrijnë një marrëveshje të përbashkët atëherë janë të dështuara dhe vendi duhet të shkoj në zgjedhje”, ka thënë Baraliu.

Ndërsa, Imer Mushkolaj ka thënë se nuk ka arsye që këto subjekte të mos dakordohen për këtë pikë.

Mushkolaj vlerësoi se pas formimit të Qeverisë së Re duhet të ekzistoj një platformë platformë për arritjen e marrëveshjes në të cilën do të paraqitnin disa prej çështjeve për të cilat nuk duhet të negociohen dhe të tregojnë pozicionin e Kosovës karshi Serbisë në këtë proces.

“Nuk ka asnjë arsyeje të fortë që mos me u pajtu rreth kësaj pike, tashmë dihet qëndrimi Vetëvendosjet dhe LDK-së për dialogun, tash e tutje nuk flitet më për dialog në kuptimin klasik por tash flitet për arritjen e një marrëveshjeje finale. Kështu që unë besoj që të dyja këto subjekte politike në qoftë se hyjnë në pushtet dhe bëhet koalicioni qeverisës duhet që menjëherë që të kenë një platformë për arritjen e marrëveshjes në të cilën do të paraqitnin disa prej çështjeve për të cilat nuk duhet të negociohen dhe të tregojnë pozicionin e Kosovës karshi Serbisë në këtë proces. Përndryshe, nëse ndonjëra nga partitë synon të mos pajtohet për çështjet thelbësore që kanë të bëjnë me marrëveshjen me Serbinë, atëherë kjo do të shkoj në dëm të shtetit dhe nuk do duhej që të ndodhte”, tha Mushkolaj për Indeksonline.

Ndryshe, kryeministri i ardhshëm i Kosovës nga radhët e LVV-së, Albin Kurti, ka thënë se dialogun politik me Serbinë do ta udhëheqë ai, dhe se presidenti nuk do të mund ta udhëheqë më këtë proces.

Asnjë koment

Comments are closed.