Anëtari i NS-së kritikon LDK-në në Prizren për politizim të subvencioneve për bujqit?
Anëtari i degës së Nismës Socialdemokrate në Prizren, Leart Batusha ka kritikuar LDK-në, që udhëheq me Drejtorinë komunale për Bujqësi për siç ka thënë politizimin e shpërndarjes së multikultivatorëve dhe të farës së misrit, transmeton “gazetaeprizrenit.net”.
Në një postim në rrjete sociale, derisa ka demantuar disa anëtarë të degës së LDK-së, që kishin kritikuar përzgjedhjen e drejtorëve të shkollave në Prizren, Batusha që për një kohë ka qenë administrues në Bashkimin Demokratik, ka shkruar se LDK duhet ta departizojë përkrahjen materiale të bujqve të kësaj ane.
“Kuvendari i LDK duhet ta depolitizojnë dhënien e multi-kultivatorëve dhe farën e misrit si subvencion, të cilin e kanë politizuar dhe ata të cilët nuk janë në LDK, nuk kanë për t’i marrë ato ashtu siç nuk pat edhe një vend pune si Roje Pylli për tjerë të cilët nuk kanë qenë me ta”, ka shkruar ai.
Nisma dhe LDK janë pjesë e koalicionit qeverisës në Prizren, të drejtuar nga Vetëvendosja!.
Pas këtyre kritikave, “gazetaeprizrenit.net” përkundër pritjes prej një javë nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga drejtori për Bujqësi dhe zhvillim rural në Prizren, Egzon Elshani.
Drejtoria e Bujqësisë, më 20 qershor ka mbyllur projektin “Furnizimi me moto-kultivator dhe mjete të imta bujqësore”, në të cilin parashihej dhënia me participim e 60 multikultivatorëve, ndërkohë që fermerët ishin ftuar për aplikim.
Në shpalljen e komunës, thuhej se përfituesit që plotësojnë kriteret duhet të jenë të gatshëm të participojnë 25 % të shumës, ndërsa projekti realizohej në kuadër të investimeve kapitale të vitit 2018. /gazetaeprizrenit.net/.