20-04-2024

Shi i rrëmbyeshëm në Malishevë, shkaktohen edhe dëme

Shiu i rrëmbyeshëm që ka kapluar territorin e Komunës së Malishevës, është përcjellë edhe me dëme, pasi uji ka depërtuar edhe në disa shtëpi të banimit.

Në kumtesën e komunës, thuhet se ekipet e njësisë së zjarrfikësve dhe shpëtimit, kanë intervenuar në fshatin Pllaqicë, për largimin e ujit në një shtëpi banimi.

Sipas drejtorit të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Valon Gashi, ekipet emergjente, me të marrë informacionin ka intervenuar pasi uji kishte depërtuar së paku në një shtëpi banimi, ndërsa më pas uji është larguar.

Përndryshe, shiu që ka rënë sot, në disa pjesë të Komunës së Malishevës është shoqëruar dëme, të cilat do të vlerësohen në ditët në vijim, kurse në Pllaqicë, në shtëpinë ku është intervenuar, janë shkaktuar dëme të konsiderueshme.

Gashi, ka bërë të ditur se ekipet emergjente janë në gatishmëri të plotë, për të ndërhyrë nëse paraqitet nevoja, pasi parashihet të vazhdojnë të reshurat.

Asnjë koment

Comments are closed.