25-11-2024

Apeli anulon vendimin e Gjykatës së Prizrenit për dënimin e Baldedajt, rasti kthehet në rigjykim

Gjykata e Apelit të Kosovës, ka anuluar Aktgjykimin e Gjykatës së Prizrenit, me të cilin kuvendari i AAK-së, Ilir Baldedaj për kohën sa ishte ish-drejtor i Administratës në Komunën e Prizrenit është dënuar me burgim efektiv me prej 10 (dhjetë) muajsh, duke e kthyer lëndën në rigjykim, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.

Njoftimin e ka dhënë përmes një postimi në “Facebook”, Baldedaj, duke publikuar edhe Aktvendimin e Apelit, ndërsa ka cituar, 2 (dy) paragrafe, në të cilat theksohet se “Nga dispozitivi i aktgjykimit i gjykatës së shkallës nuk përshkruhen se cilat detyra të përcaktuara me cilat ligje nuk i ka përmbushur i akuzuari, nuk përcakton se kush është saktësisht i dëmtuar, kush ka pasur përfitim pasuror porse gjykata mjaftohet me një formulim të përgjithshëm … çfarëdo dobie për vete apo për personin tjetër pra një parafrazim të dispozitës ligjore” dhe se “Gjykata e shkallës së parë nuk i ka përshkruar veprimet konkrete të cilat vërtetojnë dashjen e të njëjtit për të mos përmbushur detyrat e tij zyrtare.

“Këto janë fakte të cilat Gjykata Themelore në Prizren nuk ka arritur t’i vërtetoj, e as që do të arrijë t’i vërtetoj në rigjykim dhe rivendosje, ngase siç kam theksuar gjatë gjithë gjykimit në shkallën e parë unë nuk kam bërë shkelje gjatë ushtrimit të funksioneve publike dhe çdoherë i kam përmbushur detyrat e mia me qëllimin e vetëm dhe atë që t’i shërbejë qytetarëve të Prizrenit”, ka shkruar ndër tjera Baldedaj.

Ish-drejtori i Administratës në Komunën e Prizrenit, Ilir Baldedaj në janar është dënuar me 10 (dhjetë) muaj burgim, sic është thënë për shkak se në vitin 2015 bën shpërndarjen e pasurisë jo financiare (Laptop dhe çanta të laptopëve) për asamblistët e Kuvendit Komunal të Prizrenit, në sasi prej 40 copësh nga sasia totale prej 43, dhe në vërtetimin mbi pranimin e laptopëve të nënshkruar nga asamblistët me rastin e pranimit të pasurisë së tillë, nuk figuron kushti që kjo pasuri shtetërore të kthehet pas përfundimit të mandatit publik, ashtu siç parashesh Ligji 03/L -048 për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, si dhe Rregullorja e Ministrisë së Financave 02/2013 për menaxhimin e pasurisë jo financiare në organizatat buxhetore, ndërsa për 3 laptopë të tjerë nuk ka prova se të njëjtët u janë shpërndarë personave për të cilat kanë qenë të destinuar duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëm në vlerë prej rreth 19,350.00 euro”./GazetaePrizrenit

 

Asnjë koment

Comments are closed.