Apelohet që prindërit të komunikojnë më tepër me fëmijët që shohin internet
Ngacmimet dhe abuzimet seksuale me të mitur ashtu si në mbarë botën janë kthyer në shqetësim edhe për Shqipërinë. Eksperti për mbrojtjen e fëmijëve nga UNICEF thotë se në Shqipëri problem mbetet niveli i ulët i raportimeve, transmeton oranews.
David Gvineria: Gjenerata e prindërve, që kanë thuajse të njëjtën moshë sa unë, nuk janë shumë familjarë me internetin dhe ata nuk e kuptojnë çfarë ndodh në internet, është një fushë krejt e re për ta. E dyta arsye pse kemi nivel të ulët të raportimeve është se abuzimi seksual është çështje shumë private dhe sensitive dhe ne nuk e kemi të lehtë të flasim për të.
Më te ekspozuar ndaj këtij fenomeni, fëmijët i bën përdorimi i internetit dhe qëndrimi gjatë në botën virtuale.
David Gvineria: Çdo vit mosha e fëmijëve që hyjnë për herë të parë në internet është duke u ulur. Nëse tani mosha e përafërt është 9 vjeç, për dy apo tre vite do të kemi 7 apo 8 vjeç që do hyjnë online në internet. Përafërsisht fëmijët shpenzojnë 3 orë në ditë për të lundruar në internet.
Më shqetësues është fakti që 16% e të miturve takojnë persona të panjohur, me të cilët kanë komunikuar përmes internetit.
David Gvineria: Fëmijët nuk ndihen komod të flasin me prindërit për diçka që i ka shqetësuar në internet, ata fillimisht flasin me miqtë, sepse ndihen të frikësuar dhe mendojnë se prindërit nuk mund t’i kuptojnë.
Ekspertët apelojnë prindërit që të komunikojnë më tepër me fëmijët e tyre, duke krijuar besim tek ta.