Arrestohet i dyshuari i dytë për kontrabandimin e 6 emigrantëve në Vërmicë

Policia e Kosovës ka arritur që të arrestojë edhe të dyshuarin e dytë për kontrabandimin e gjashtë emigrantëve në Vërmicë, raporton Gazeta Sinjali.

I arrestuari është M.H., 36-vjeçar, shtetas i Jordanisë, i cili me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

Po ashtu, me urdhër të Gjykatës Themelore në Prizren, sot janë kontrolluar dy dhoma të një hoteli në Prishtinë, ku dyshohet se kanë qëndruar dy të dyshuarit e përfshirë në këtë rast.

Gjatë kontrollit të këtyre dhomave, hetuesit policorë kanë zbuluar që i arrestuari i parë, i cili paraqitur si shtetas i Kosovës me inicialet A.J., faktikisht ka falsifikuar dokumentet e identitetit, pasi që ai është E.B., shtetas i Maqedonisë së Veriut, i lindur më 1980.

Prokurori ka urdhëruar që edhe 41-vjeçari të dërgohet në mbajtje për 48 orë.

“Gjatë realizimit të kontrollit në dhomat e hotelit ku kanë qëndruar dy të dyshuarit, hetuesit policorë kanë sekuestruar: një letërnjoftim dhe një patentë shoferi që dyshohet të jenë të falsifikuara. Po ashtu janë sekuestruar edhe 1 mijë e 510 euro, 300 franga zviceranë, 20 US dollarë si dhe një veturë me të cilën është tentuar të kryhej kontrabanda me emigrantë”, thuhet në njoftimin e policisë.