ATK do të pajisë Prokurorin e Shtetit me informacione për persona të dyshuar për vepra penale

Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, Ilir Murtezaj dhe kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi kanë nënshkruar sot një memorandum bashkëpunimi për shtimin e efikasitetit në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe shpëlarjes së parave.

Marrëveshja parasheh shkëmbim të informacionit ndërmjet ATK-së dhe Prokurorit të Shtetit për çështje që kanë të bëjnë me luftimin e veprave të ndryshme penale, në mënyrë që të mbrohen interesat e përgjithshme publike të qytetarëve, ekonomisë dhe sistemit financiar të Kosovës.

 

ATK do të pajisë Prokurorin e Shtetit me të dhëna dhe informacione të mjaftueshme për persona që dyshohen për vepra penale, kur nga analiza elektronike e sistemit informativ identifikohet ose konstatohet çdo shpërputhje në mes të hyrave dhe shpenzimeve të subjekteve që jetojnë dhe veprojnë në Kosovë në shumën prej 30,000 euro e me shumë për pasurinë e luajtshme, dhe në shumën prej 60,000 euro e më shumë në pasurinë e paluajtshme.

 

Informacionet e ATK-së do t’i shërbejnë Prokurorit të Shtetit si indikacion fillestar për nisjen e hetimeve penale sipas legjislacionit në fuqi.