16-05-2024

Auditori gjen se Komuna e Prizrenit zotoi mjete buxhetore pas nënshkrimit të kontratave (Dokument)

Zyra e Kombëtare e Auditimit (ZAK) ka gjetur disa shkelje në Komunën e Prizrenit, për vitin e kaluar,  ndërsa opozita ka kërkuar hetime meqenëse sipas tyre ato përbëjnë edhe vepra penale, raporton Gazeta e Prizrenit.

Ndër shkeljet e evidentuara në raportin për pasqyrat financiare vjetore të vitit 2022, është edhe  Çështja A3 – Zotimi i mjeteve pas nënshkrimit të kontratave publike, ku Auditori gjeti se në tri raste, zotimet e mjeteve në SIMFK ishin bërë pas nënshkrimit të kontratave publike.

Në këto raste bëhet fjalë për:

1) Ndërtimin e qendrës së mjekësisë familjare në ambientet e ish-KFOR-it në Prizren (projekt tre vjeçar), në vlerë 2,323,000€, e nënshkruar pa zotim paraprak të mjeteve buxhetore në SIMFK. Zotimi i pjesshëm i mjeteve është bërë dy muaj pas nënshkrimit të kontratës, atëherë kur është paguar situacioni i parë i punimeve. Një pjesë e zotimi ishte bërë në vitin 2021 kur ishte inicuar procedura e prokurimit, derisa kontrata është nënshkruar me datë 27.05.2022.

2). Ndërtimin e infrastrukturës në fshatin Krushë e Vogël (projekt dy vjeçar), në vlerë 121,555€, e datës 02.02.2022, e nënshkruar pa zotim paraprak të mjeteve buxhetore në SIMFK. Zotimi i pjesshëm i mjeteve është bërë gati 3 muaj pas nënshkrimit të kontratës, atëherë kur është paguar situacioni i parë i punimeve.

3) Dezinfektimi, dezinsektimi dhe deratizimi i qytetit të Prizrenit dhe i zonave periferike, në vlerë të parashikuar 210,000€, ishte nënshkruar pa zotim paraprak të mjeteve financiare. Zotimi i pjesshëm për këtë kontratë ishte bërë një muaj pas datës së nënshkrimit. Kontrata është nënshkruar më datë 30.03.2022, ndërsa një pjesë e zotimit të mjeteve është bërë në vitin 2021, pasi si procedurë e prokurimit kishte filluar në vitin 2021.

Siç dihet, prej fundit të vitit 2021 në krye të qeverisjes lokale të Prizrenit është Shaqir Totaj (PDK).

Referuar rekomandimit nga ZAK, Kryetari i Komunës duhet të sigurojë se para nënshkrimit të kontratave publike mjetet financiare zotohen në SIMFK.

Ndër shkeljet tjera të vërejtura nga Auditori janë edhe parregullsitë në procedurat e prokurimit publik, vonesa në realizim të projekteve kapitale dhe mosmbulim të kontratave me siguri të ekzekutimit,  parregullsi në proceset e subvencionimit të OJQ-ve dhe fermerëve, etj.

Ndërka, përfaqësuesit e VV-së, këto të gjetura i kanë vlerësuar si shkelje që përbëjnë vepër penale, duke ftuar organet përkatëse të hetuesisë të merren me hetimin e tyre./GazetaePrizrenit.net

Lajme të tjera të ngjashme:

Komuna e Prizrenit e fundit në rajon për realizimin e investimeve kapitale (Dokument)

Asnjë koment

Comments are closed.