19-05-2024

Auto-tregut në Prizren parashihet t’i ndërrohet lokacioni

Autoritetet komunale të Prizrenit kanë paralajmëruar mundësinë e ndërrimit të lokacionit ekzistues të tregut të automjeteve, që ndodhet skaj rrugës magjistrales Prizren-Suharekë-Prishtinë, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Policia në Prizren disa herë ka shfaqur brengën për pengesat dhe vështirësitë, të cilat shkaktohen të mërkurave, gjatë qarkullimit në rrugën magjistrale, kur në Prizren në kuadër të Ditës së tregut, mbahet edhe tregu i automjeteve, që ndodhet skaj rrugës shumë frekuentuese.

Hasan Tërshani, zyrtar në stacionin e Policisë Veri, që ndodhet në Lubizhdë të Prizrenit, ka thënë se për të mos lejuar krijimin e tollovisë dhe të kolonave, Policia është e detyruar t’i dërgoj çdo të mërkurë nga dy patrulla, të cilat për shkak të domosdoshmërisë në këtë lokacion, lënë mangu patrullimet të tjera.

Një shqetësim të tillë të Policisë e ka parasysh edhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka i cili ka deklaruar se Komuna po analizon mundësinë e ndërrimit të lokacionit aktual të tregut të automjeteve. Ai nuk ka përmendur ndonjë lokacion eventual në cilin parashihet zhvendosja e auto-tregut./GazetaePrizrenit.net/

 

 

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.