Avokati i ish-kryetarit të Dragashit pretendon se ndjekja penale ndaj klientit të tij është vjetërsuar
Avokati Ruzhdi Berisha, të mërkurën, gjatë shqyrtimit gjyqësor kundër klientit të tij, Salim Jenuzi, i cili akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare gjatë kohës sa ka ushtruar postin e kryetarit të Komunës së Dragashit, ka kërkuar që të ndërpritet ndjekja penale sepse, sipas tij, ka arritur afatin e parashkrimit.
Në këtë rast, po ashtu akuzohet edhe biznesmeni Nexhat Selaj, për uzurpim të pronës komunale.
Avokati Berisha, ka deklaruar se duke u bazuar në arsyetimin e vendimit të Gjykatës së Apelit, me të cilin është kthyer lënda në rigjykim, vërehet se është rekomanduar që të precizohet koha e kryerjes së veprës penale, duke shtuar që sipas vendimit nuk mund të jetë e shënuar me periudhë, ashtu siç e paraqet aktakuza.
Berisha ka thënë se nëse rregullohet çështja e kohës së kryerjes së veprës penale në momentin e nënshkrimit të vendimit më 31 gusht 2011, për të cilin klienti i tij akuzohet se e ka bërë kundërligjshëm, atëherë sipas tij, kjo vepër duhet të kualifikohet sipas Kodit të Përkohshëm Penal, si ligj më i favorshëm në këtë rast.
Ai ka thënë se sipas kodit të vjetër, veprimi i klientit të tij parashihet si tejkalim i kompetencave dhe dënohet deri në një vjet burgim, andaj me këtë rast, sipas tij, vjen deri te parashkrimi i veprës penale duke marrë parasysh kohën e fillimit të procedurës penale.
Prokurori i rastit, Genc Nixha, ka kërkuar që të merren në pyetje dëshmitarët Bean Haxhihasani dhe Vetim Hasani, në mënyrë që të vërtetohet koha e kryerjes së veprës penale e pastaj të deklarohet rreth kësaj çështjeje.
Seanca ka vazhduar me marrjen në pyetje të dëshmitarëve, ku dëshmitari Bean Haxhihasani ndër të tjera ka thënë se rreth rastit në fjalë ka kuptuar kur hetuesit e krimeve ekonomike kishin shkuar në komunë për të marrë shkresa.
Ai ka thënë se nuk i kujtohet nëse ka qenë në punë ditën kur është nënshkruar vendimi për të cilin flet aktakuza, por se më vonë nga hetimet e policisë ka kuptuar se e ka nënshkruar ish-kryetari Salimi, por se sipas tij, një gjë e tillë është e lejuar të bëhet dhe praktikohet.
Ndërsa, Vetim Hasani, i cili së bashku me dëshmitarin tjetër Haxhihasani, janë liruar nga akuza për keqpërdorim të pozitës zyrtare në këtë rast, tani në cilësinë e dëshmitarit ka thënë se i ka ndërmarrë të gjitha veprimet si inspektor i ndërtimit në rastin në fjalë.
Pas dëgjimit të dëshmitarëve, prokurori Nixha ka thënë se duke u bazuar në të thënat e avokatit Berisha dhe vendimit të Apelit, kërkon një afat të shkurtër në mënyrë që të deklarohet për veprimet e mëtutjeshme dhe mundësinë e precizimit të aktakuzës.
Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtarja Ajser Skenderi, ka pranuar kërkesën e prokurorit dhe shqyrtimin e ka shtyrë për 10 maj 2018, në ora 13:00.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren pretendon se Salim Jenuzin, duke qenë kryetar i Komunës së Dragashit, në periudhën 2009-2016, i ka mundësuar Nexhat Selajt, përvetësimin e pronës komunale, të cilën ky e kishte uzurpuar paraprakisht.
Ndërsa, Nexhat Selaj akuzohet se gjatë periudhës 2009-2016, ka uzurpuar në mënyrë të paligjshme pronën komunale të Komunës së Dragashit, në të cilën ka ndërtuar objekt afarist me karakter të përhershëm, megjithëse kishte leje për shfrytëzim të përkohshëm.
Gjykata Themelore e Prizrenit, më 21 nëntor 2017, ka shpallur fajtor të akuzuarit Jenuzi dhe Selaj, por një aktgjykim të tillë e ka prishur Gjykata e Apelit.
Gjykata Themelore në Prizren, kishte dënuar ish-kryetarin Jenuzi me një vjet burgim, i cili nuk do të ekzekutohej nëse brenda dy viteve ai nuk kryen vepër të re penale.
Ndërsa, Nexhat Selaj, ishte dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, që brenda dy viteve të mos kryeje vepër tjetër penale.
Mirëpo, me 25 janar 2018, Gjykata e Apelit ka vendosur që rasti të kthehet në rigjykim sa i përket të pandehurve Salim Jenuzi dhe Nexhat Selaj, ndërsa për dy të akuzuarit tjerë, Bean Haxhihasani dhe Vetim Hasani, të cilët ishin liruar nga akuzat, Apeli ka vërtetuar aktgjykimin në fjalë.
Në Aktgjykimin e Apelit thuhej se gjykata e shkallës së parë nuk ka arritur të arsyetojë vendimet për dënimin e të akuzuarve Jenuzi dhe Selaj, duke mos treguar saktësisht veprimet e secilit me qëllim të kryerjes së veprës penale për të cilën akuzohen.
Apeli ka kërkuar që Gjykata Themelore e Prizrenit, gjatë rishqyrtimit të kësaj çështje penale të arsyetojë ndërlidhjen e provave që përmban aktakuza dhe të tregojë nëse kryetari ka pasur apo jo të drejtë të nënshkruajë lejen në vend të drejtorit komunal që ka munguar.
Po ashtu Apeli ka kërkuar precizimin e kohës së kryerjes së veprës penale pasi që kanë konstatuar se ish-kryetari Jenuzi ka nënshkruar një dokument dhe nuk mund të qëndrojë koha e kryerjes së veprës penale nga 31 gushti 2011 e deri më 2016./Betimi per Drejtesi/