02-11-2024

Prizren: Komuna shënon  Ditën e Tokës me tri ditë vonesë

Për shkak të mungesës së kryetarit të Prizrenit, Mytaher Haskuka, i cili ishte në udhëtim zyrtar në Gjermani, me 3 ditë vonesë është shënuar me aktivitete të ndryshme Dita Botërore e Tokës në Prizren.

Aktiviteti kryesor i shënimit të Ditës së Tokës nga komuna e Prizrenit, është organizuar në një nga hapësirat gjelbëruese rishtas të rregulluara në lagjen “ Bazhdarhane”,me ç’rast janë mbjellur lule dhe drunj dekorativ.

Pjesë e këtyre aktiviteteve ishin nxënës, përfaqësues të institucioneve të ndryshme dhe drejtuesit më të lartë komunal të Prizrenit .

Me këtë rast, Haskuka, tha se të gjithë ne duhet të japim kontribut të çmueshëm për të pastruar dhe ruajtur ambientin që na rrethon jo vetëm gjatë disa ditëve apo jave.

Drejtori i shërbimeve publike, Levent Kasëmi, tha se gjatë muajit Prill komuna në bashkëpunim me institucione të ndryshme është mjaft aktive në pastrimin e ambientit dhe krijimin e hapësirave të reja gjelbëruese, duke mbjellur fidane dhe drunjë dekorativ , dhe një ritëm i tillë i angazhimeve do të vijoj edhe në të ardhmen.

Pjesë e këtyre aktiviteteve ishin edhe nxënësit e shkollave të Prizrenit, ku disa prej tyre, Fatime Limaj, Adrian Hoxha dhe Sara Hisari, thanë se këto aktivitete sensibilizuese duhet të përçojnë mesazhe për të gjithë qytetarët që ta ruajmë ambientin përmes mirëmbajtjes së duhur duke pastruar hapësirat mjedisore që na rrethojnë.

Pas lagjes “ Bazhdar’hane”, pjesëmarrësit e aktivitetve të sotme kanë mbjellur drunjë dhe lule dekorative si dhe kanë pastruar ambientin në disa zona të Prizrenit./tvprizreni.com/

Asnjë koment

Comments are closed.