23-11-2024

Bajqinovci thotë se është shtyrë intervista për gradën “Toger” në Policinë e Kosovës

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka njoftuar se është shtyrë intervista për gradën “Toger” në Policinë e Kosovës, e paraparë të mbahej sot.

Ai përmes një postimi në Facebook ka thënë se me siguri kjo lidhet me lëshimet që janë bërë në këtë proces, derisa ka bërë thirrje që të zbulohet e vërteta rreth këtij gradimi.

Ndërkaq ky test për gradën “toger” në policinë e Kosovës, është mbajtur në fillim muajit shkurt.

Siç është njoftuar nga vetë Bajqinovci ditë më herët, mbi 700 zyrtarë të gradave më të ulëta që i plotësonin kriteret formale, i ishin nënshtruar testimit.

“Megjithatë, testi ishte shpërndarë paraprakisht gjithmonë flas sipas mediave me qëllim që të kurdisej rezultati i atij testimi që gjithë procesin e kthen në një farsë sikurse çdo kund tjetër në institucione që është vepruar me konkurset. Ka kohë, afër 10 vite, kur Policia është futur nën kthetrat e kontrollit politik dhe parapolitik të PDK-së. Me gjithë bazat e mira që ishin vendosur në fillimet e saj, përfshirë edhe rezultatet, në Policinë tonë, këto 10 vite janë zhbërë rregullat e procedurat e gradimeve e avancimeve mbi baze meritore e profesionale për t’u zëvendësuar me kritere politike, parapolitike e nepotike”, kishte shkruar ai.

Sipas tij, si rezultat i këtij 10 vjeçari, shumë profesionistë meritor janë dekurajuar, defaktorizuar e parandaluar për t’u avancuar sipas kapacitetit të tyre profesional e moral.

“Mbi të gjitha, shteti dhe qytetarët janë privuar nga mundësia për të pasur një polici akoma më të përgatitur, më profesionale e më efikase në luftimin e të gjitha llojeve të krimit, garantimin e sigurisë, rendit dhe qetësisë për qytetarët. Qeveria duhet të analizojë mirë gjendjen aktuale në polici dhe të marrë vendimet e duhura. Në polici s’kanë vend shkelësit e ligjeve dhe procedurave apo njerëz që e pengojnë meritokracinë. Ky proces i gradimit duhet të stopohet pas publikimit në media për shpërndarjen e testit dhe duhet të merren masa ndaj përgjegjësve”, kishte thënë Bajqinovci.

Asnjë koment

Comments are closed.