Sot, në mëngjes në xhamitë dhe në teqetë e rajonit të Prizrenit, është falur namazi i Bajramit të Fitërit, ku qytetarët e shumtë kanë kryer faljen e namazit, transmeton “Gazeta e Prizrenit”.
Kjo festë vjen për besimtarët mysliman pas përcjelljes së muajit të Ramazanit, që ngriti edhe më shumë nivelin e dashurisë ndaj Zotit.
Me këtë rast, përfaqësues fetarë, zyrtarë komunal dhe ata të subjekteve politike të Prizrenit, kanë uruar qytetarët e besimtarët islam për festën e Bajramit.
Ky është Bajrami i parë, që kremtohet në kushte më normale pas dy vjet të Pandemisë.
Kreu i komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, përmes një postimi në “facebook”, ka uruar besimtarët myslimanë dhe qytetarë e këtij komuniteti të komunës sonë e më gjerë.
“Fitër Bajrami vjen si përmbushje e muajit të shenjtë të Ramazanit, gjatë së cilit besimtarët agjërojnë, në shenjë sakrifice që dëshmon besimin ndaj Zotit. Me këtë rast uroj të gjithë besimtarët muslimanë, me dëshirat më të mira Gëzuar Fiter Bajramin, veçanërisht atyre që agjëruan në muajin e shenjtë të Ramazanit!”, thuhet ndër tjera në urimin e tij.
Në mënyrë tradicionale, pas faljes së Bajramit, në Prizren kanë vazhduar vizitat nëpër familje.
Në selinë e Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit është organizuar pritje solemne.
Me këtë rast uron edhe redaksia e portalit “GazetaePrizrenit.net”:
Harmoni, mbarësi e çdo të mirë në familjen tuaj!
ME FAT!