Baldedaj kritikon Haskukën, ia kujton se projekti për lopët ishte i qeverisjes së kaluar
Shefi i grupit të kuvendarëve në opozitë të AAK-së në Prizren, Ilir Baldedaj, pasi e ka demantuar kryetarin e komunës, Mytaher Haskuka, duke ia kujtuar se projekti për ndarjen e lopëve qumështore ishte i qeverisë së kaluar.
Në një postim në profilin e tij në facebook, ai ka kritikuar kryetarin për siç ka shkruar “Përveç që po provon të ushtrojë arrogancë”,
Ja postimi i plotë i Baldedajt:
“Mytaher Haskuka po shfaqet edhe i padijshëm po thotë të pavërteta dhe po shpif. Haskuka në fushatë e kritikoi sa mundi pushtetin e kaluar, ndërsa në këta 7-8 muajt e qeverisjes po lavdërohet e krekoset me projektet e qeverisë së kaluar.
Sot Haskuka u lavdërua me rritjen numrit të lopëve që iu ndanë fermerëve. Nuk e tha të vërtetën kur tha se e rriti ai numrin!… Me kërkesë të fermerëve, dhe me kërkesë të drejtorisë së Bujqësisë, e udhëhequr nga AAK-ja vitin e kaluar, u rrit shuma e mjeteve për përkrahje të fermerëve me krerë të lopëve qumështore. Kjo është e vërteta dhe krejt ata që thonë ndryshe gënjejnë.
Përveç që nuk po e thotë të vërtetën Mytaher Haskuka edhe shpif. Ai në faqen e tij zyrtare thotë “sivjet për herë të parë është bërë thirrje publike për aplikim të blegtorëve, si dhe përfituesit janë përzgjedhur në bazë të plotësimit të kritereve dhe vlerësimit të komisionit të përbërë nga ekspertë të fushës”.
I shkreti Mytaher Haskuka. Një pyetje krejt e thjeshtë si u ndanë këto krerë të lopëve vitin e kaluar? Për dallim nga koha e Mytës, vitin e kaluar thirrja publike u bë edhe në mediumet lokale, publike…
Prandaj Mytaher Haskuka, duke mos ditur çka ka ngjarë në Prizren nuk po e thotë të vërtetën dhe po shpif. Nuk i mjafton që krenohet me projektet e qeverisë Muja, por shkon më larg gënjen e shpif. S’ka si të jetë ndryshe një pushtet që ndërtohet me militant diletant.
Por gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra. Veç kësaj ajo (gënjeshtra) të ha nga brenda, siç ka filluar ta ha kryetarin e Prizrenit.
Për Mytaher Haskukën udhëheqja e Prizrenit është bërë barrë e rëndë dhe shumë shpejt do ta rrëzojë, sepse kur të përfundojnë projektet e vitit të kaluar, ai do të mbetet duarthatë sepse as idenë nuk e ka çka do të thotë udhëheqja e qytetit”.