12-10-2024

Anulohet edhe konkursi i dytë për drejtorë, Haskuka kthen procesin në fillim

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka  ka konfirmuar edhe anulimin e konkursit të dytë për drejtorë të shkollave, duke kthyer në fillim procesin për përzgjedhjen e menaxherëve të institucioneve shkollore, transmeton ‘gazetaeprizrenit.net’.

 

“Sot ose nesër do të rishpallet konkursi i ri për drejtorë dhe zëvendësdrejtorë, ndërsa deri në fillim të shtatorit procesi do të përfundojë ”, ka thënë Haskuka për portalin “gazetaeprizrenit.net”.

 

Ai ka thënë se janë marrë masa shtesë për sigurimin e mirëfilltë të procesit, të cilat i ka paralajmëruar edhe më parë, ndërsa anëtarët e shoqërisë civile do të jenë monitorues gjatë tërë kohës e jo sikur më parë vetëm në disa raste.

Haskuka ka njoftuar se ai në këtë rast do të jetë i informuara vazhdimisht rreth ecurisë së procesit të përzgjedhjes së drejtorëve, përcjell “gazetaeprizrenit.net”

 

Deklarimi kësisoj i kryetarit, ka sqaruar situatën e mjegullt që është krijuar në Prizren, pas njoftimit për anulimin e konkursit të parë për drejtorë dhe zëvendësdrejtorë të shkollave nga ana e Haskukës.  Ndërkohë që kishte kaluar edhe afati ligjor, prej 45 ditësh për përzgjedhjen e drejtorëve, në konkursin e dytë, që ishte mbyllur me 1 qershor, ndërsa asnjë nga konkurrentët e përzgjedhur nuk ishte ftuar as në intervistë.

 

Për anulimin e konkursit të parë, kryetari prizrenas, tri javë më parë, pat njoftuar në faqen e komunës dhe në profilin e tij të “facebook-ut”.  Ai  këtë e bëri përkundër deklarimeve të drejtorit komunal  të arsimit, Skënder Susuri, që mbronte  qëndrimin se procesi i përzgjedhjes së drejtorëve ka qenë i rregullt në aspektin procedural.

Zyrtarë të lartë komunal të Prizrenit, konfirmuan për “Gazetën e Prizrenit” se pas shpalljes së rezultateve, Haskuka ka marrë shumë ankesa, pas të cilave është bindur se ai duhet të rikthejë në fillim të tërë procesin./gazetaeprizrenit.net/

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.