13-12-2024

Baldedaj: Me Haskukën do të shihemi në gjyq

Ish-drejtori për Administratë komunale në Prizren, Ilir Baldedaj ka thënë se do të shihet në gjyq me kryetarin e Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, duke paralajmëruar padi ndaj tij, për siç ka thënë shantazhin që po ia bën nëpër medie, për shkak të opozitarizmit,  shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Baldedaj që aktualisht është kuvendar i AAK-së në opozitë, ka deklaruar kështu në mbledhjen e sotme të Kuvendit Komunal.

Derisa e ka vlerësuar Haskukën si një turist nga Prishtina, ai ka thënë se ndonëse po bëhen dy vjet kur po udhëheq me Prizrenin, Haskuka nuk po mund të shkëputet nga kritikat për ish-qeverisjen e kaluar, ndërsa në këtë mënyrë po mundohet ta shantazhojë opozitën.

“E kam gati lëndën për padi ndaj Haskukës, me të cilën do të shihem në gjyq”, ka thënë Baldedaj, duke shtuar se në asnjë formë dhe nga askush nuk mund të shantazhohet për të zbutur opozitarizmin e tij.

Haskuka, ndërkaq në fjalën e tij, nën tension dhe zë të ngritur ka thënë se po të kishte shtet të mirëfilltë disa që tash janë në Kuvend, duhet të ishin në burg.

Ndryshe, mbledhja e sotme e KK-së, është karakterizuar me përplasje në mes të anëtarëve të Kuvendit, e madje edhe në mes tyre dhe kryetarit Haskuka.

Një rast i tillë është edhe ai Baldedajt, që pas disa polemikave paraprake janë përplasur verbalist me Haskukën në Kuvend.

Ndërkohë, që kryesuesi i KK-së, Artan Abrashi kërkoi pauzë për shkak të tensioneve në sallë, pasi nga vendi fliste kuvendari Xhavit Ukaj nga LDK dhe kuvendarë të tjerë, Haskuka tha se drejtorët duhet të rrinë edhe deri në mbrëmje për t’i sqaruar të gjitha çështjet. /GazetaePrizrenit.net /

Asnjë koment

Comments are closed.