24-11-2024

Banorët e një rruge të Prizrenit ankohen se mbi dy muaj po përballen me reduktime të ashpra të ujit

Qytetarë të Prizrenit po ankohen se po përballen me reduktime të ashpra të ujit të pijes.

Qytetarë që banojnë në rrugën “Dëshmorët e Prekazit” thonë se me reduktime të tilla po përballen që dy muaj e gjysmë.

Zana Spahija, banore e zonës, thotë se që dy muaj e gjysmë po përballen me mungesë të ujit.

Si pasojë e reduktimeve, ajo thotë se për pije po detyrohen të blejnë ujë, kurse për nevojat e shtëpisë po detyrohen të presin deri në ora 02:00 pas mesnatës.

Ajo thotë se ndonëse i kryejnë pagesat, nuk po furnizohen me ujë.

Edhe Tringa Balaj thotë se me mungesë të ujit po përballen që dy muaj e gjysmë.

Kjo qytetare tregoi se po detyrohen të blejnë ujë për pije, ndërsa për pastrim dhe nevoja të tjera po rrinë pa gjumë deri në ora 02:00, kur vjen përkohësisht uji.

Lidhur me mungesën e ujit qytetari Fevzi Ramadani thotë se ka qenë dhe është ankuar në kompaninë “Hidroregjioni Jugor” dhe se ata, sipas tij, i kanë thënë se do të vijnë dhe ta rregullojnë problemin.

“Kam qenë jam anku në ‘Hidroregjion’, ata më kanë thënë vijmë e rregullojmë, ata kanë shkuar ne mënyrë të gabuar tjetërkund, këtu nuk kanë ardhur fare. Jam kanë prapë, më kanë thënë vijmë prapë, nuk kanë ardhë, më kanë thanë të lajmërojmë por nuk më kanë lajmëruar. Pa ujë nuk po jetohet, uji mundet me ardhë diku rreth orës 03:00… Nuk e di si jetohet pa ujë’’ – ka thënë qytetari.

Lidhur me këto pretendime, KALLXO.com ka kontaktuar kryeshefin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Hidroregjioni Jugor”, Fadil Berishën.

“Bazuar në informatat nga stafi i operimit dhe mirëmbajtjes, në këtë zonë është duke u aplikuar reduktim i furnizimit me ujë. Për shkak të temperaturave të larta dhe mungesës së reshjeve për 3 muaj, ne si kompani jemi duke u ballafaquar me rënie drastike të burimeve të ujit dhe si rezultat i kësaj gjendjeje jemi të detyruar të aplikojmë reduktime në disa zona të qytetit” – tha Berisha më 09.09.2024.

Ai shtoi se reduktimet e ujit janë opsioni i fundit të cilin kanë dëshirë të praktikojnë, mirëpo janë të detyruar me qëllim që të sigurojmë furnizim të barabartë për të gjithë konsumatorët brenda zonës së shërbimit.

“Gjithashtu, duhet të theksojmë se infrastruktura e vjetërsuar e sistemit të ujësjellësit nuk është në favorin tonë. Gjatë aplikimit të reduktimeve dhe si rezultat ballafaqohemi me defekte të shumta në rrjet dhe mosarritjen e furnizimit në orare të paralajmëruar” – shtoi kryeshefi.

I pyetur se kur pritet që të rregullohet situata, Berisha theksoi se teknikisht për shkak të rrjetit të ujësjellësit, kjo zgjidhje teknike nuk mund të zgjidhet menjëherë.

“Është duke u përgatitur një projekt nga zyra për planifikim dhe zhvillim, me qëllim të rehabilitimit të rrjetit aktual të ujësjellësit në këtë zonë” – shtoi ai.

Tutje, Berisha theksoi se me rënien e temperaturave pritet që situata të stabilizohet./Kallxo.com/

Asnjë koment

Comments are closed.