Bashkimi me vizion të ri për edicionin e ri
Fadil Sahiti është zgjedhur kryetar i ri i KB Bashkimi, skuadër e cila në edicionin e kaluar e fitoi titullin e kampionit, për herë të parë në historinë e saj.
Mirëpo, nuk dihet nëse “Portokallinjtë” edhe në edicionin e ri do të hyjnë me të njëjtat ambicie. Sahiti ka treguar se synimi kryesor i tij dhe bashkëpunëtorëve të tij është krijimi i stabilitetit në klub.
“Skuadrën e kemi marrë në gjendje shumë të vështirë. Praktikisht nuk kemi gjetur asgjë përveç borxheve të mëdha. Kërkesa jonë e vetme ka qenë që nga menaxhmenti paraprak të kemi informacione rreth situatës financiare dhe asaj institucionale, që domethënë të dimë për strukturat e klubit, e që në fakt ato nuk ekzistojnë fare”, është shprehur Sahiti për Insporti.com.
Ai ka shtuar se pikërisht riorganizimi i mirëfilltë është prioriteti i kryesisë së re. “Synojmë të krijojmë një strukturë funksionale të klubit. Do të aktivizohet shkolla e basketbollit dhe të kemi grup-mosha të organizuara mirë të pionierëve, kadetëve dhe juniorëve. Do t’i kemi trajnerët që do të punojmë me këto grupe dhe ata duhet të paguhen 12 muaj. Është mirë që ekziston gatishmëri e madhe për të bashkëpunuar dhe pikërisht insistimi i tyre ka bërë që unë të kthehem në krye të Bashkimit”, ka shtuar Sahiti.
E për t’i realizuar këto synime, Bashkimi fillimisht duhet t’i shlyejë borxhet. “Së pari duhet të paguajmë një shumë prej 10-11 mijë eurosh, pasi në të kundërtën kemi ndalesë nga FIBA për të transferuar lojtarë të huaj. Më vonë duhet shikuar mundësitë për t’u rehabilituar sa më shpejt që është e mundur. Megjithatë, duhet theksuar se synimi ynë është të paraqitemi me sukses në Superligën e Kosovës dhe eventualisht të marrim pjesë në Ligën Ballkanike, derisa nuk kemi gjasë të marrim pjesë në liga më të forta, pasi nuk na e lejojnë mundësitë financiare”, është shprehur Sahiti.
Kur bëhet fjalë për financat, Sahiti ka bërë të ditur se ka premtime nga Komuna e Prizrenit për mbështetje të madh, por sigurisht duhet kërkuar edhe donatorë tjerë.
Aktualisht, basketbollistët e Bashkimit janë në pushim, por së shpejti do të nisë puna për kampionatin e ri. “Më së largu deri më 15 gusht ne do t’i grumbullojmë lojtarët vendorë, ndërsa deri më 1 shtator do të përcaktohemi për një trajner të huaj. Më vonë do t’i shohim mundësitë për t’i marrë maksimalisht tre basketbollistë të huaj”, ka thënë Sahiti në fund./insport/