20-04-2024

Besim Parallangaj, pishtar i lirisë

Besim Parallangaj, pishtar i lirisë

Shkruan: Bashkim Kajdomçaj

Lufta heroike e bijve më të mirë të atdheut jo vetëm në Drenicë, por edhe në pjesë të tjera të Kosovës bëri që opinioni shqiptar të sensibilizohej dhe të mobilizohej për një luftë të përmasave të përgjithshme popullore.

Që në ditët e para të asaj pranvere të madhe, të historisë sonë, dhjetëra djem hasjanë i bashkohen radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të dhënë kontributin e tyre në luftën për çlirim dhe lirinë e Kosovës.

Djemtë e Lugishtës të rreshtuar në radhët e Brigadës 126  “Hasi”, por edhe në brigada të tjera të UÇK-së, në asnjë moment nuk kursyen mundin dhe gjakun e tyre, vetëm e vetëm që një ditë në këto troje të vinte liria e shumë pritur për të cilën u derdh shumë gjak, dhe u bë shumë mundë e sakrificë.

Kështu nga Lugishta në altarin e lirisë ranë 16 dëshmorë dhe 40 martirë,  gjaku i të cilëve u bë themel i fuqishëm i lirisë dhe i pavarësisë së Kosovës. Njëri nga dëshmorët është edhe Besim (Mon) Parallangaj.

Ai u lind me 1972, ndërsa kishte të kryer vetëm arsimin fillor dhe punonte si bukëpjekës. Që nga ditët e para të formimit të celulave të UÇK-së në Has, ai i bashkohet shtabit lokal. Më se 30-të herë kalon kufirin Kosovë-Shqipëri për bartjen e armatimit dhe përcjellje të ushtarëve të tjerë të lirisë, që vinin nga zonat e ndryshme të Kosovës.

Dëshmori Parallangaj rrjedh nga një familje bujare dhe fisnike. Ishte djalë i vetëm i familjes. Ra në altarin e lirisë me 06 prill 1999, në vendin e quajtur “Mahalla Truqe” në Lugishtë, duke lënë pas vetës gruan dhe 4 fëmijët. Varroset me nderime të larta, në korrik të vitit 1999. Pas përfundimit të luftës është shpallur dëshmor i kombit. Sot edhe djali i tij, trashëgoi rrugën e babait, ku është pjesëtar në F SKosovës, për t’i shërbyer atdheut në kohë lufte dhe paqeje.

Ai, tashmë me dëshmorët dhe të rënët tjerë, pushon i qetë në varrezat e fshatit Lugishtë.

Asnjë koment

Comments are closed.