24-04-2024

Boshnjaku i arrestuar për krime lufte, ishte polic në Istog gjatë viteve 1998-99

Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar të mërkurën mbrëma, se ka arrestuar të pandehurin me inicialet E.B, i nacionalitetit boshnjak, i dyshuar për krime lufte në Kosovë.

Sipas njoftimit, i pandehuri dyshohet se gjatë viteve 1998 – 1999, ishte me detyrë polic në stacionin policor të fshatit Gjurakoc të Komunës së Istogut, si dhe pjesëmarrës në kryerjen e masakrës së Staradranës, ku kanë mbetur të vrarë 18 persona.

“Me këto veprime i pandehuri E.B., dyshohet se ka kryer veprën penale ’Krim i Luftës kundër popullatës civile’, i sanksionuar me nenin 142 të Ligjit Penal të RSFJ-së. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, i pandehuri E.B., është ndaluar në periudhë kohore prej 48 orësh, në pritje të dërgimit te Gjyqtari i Procedurës Paraprake brenda afatit Ligjor”, thuhet në njoftim./BD

Asnjë koment

Comments are closed.