17-05-2024

Burdushi dënohet me burg për mashtrim

Hysri Peqani i njohur me nofkën “Burdushi” nga Prizreni është dënuar sot me burgim, para dhe ndalim të përkohshëm të veprimtarisë për shkak të veprës penale të mashtrimit, transmeton “GazetaePrizrenit.net’.

Këtë masë ia shqiptoi Gjykata Themelore e Prizrenit, përkatësisht Departamenti  i Përgjithshëm Penal që edhe ka bërë shpalljen e aktgjykimit ndaj tij.

Të akuzuarin gjykata e ka shpallur fajtor duke e dënuar me burgim efektiv në kohëzgjatje prej 1(një) viti, të cilin dënim do ta vuan pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi,  dënimin me gjobë në shumën prej 5.000  (pesëmijë) euro, si dhe dënimin plotësues ku i ndalohet ushtrimi i profesionit, veprimtarisë së pavarur dhe i detyrës së caktuar në kohëzgjatje prej 3 (tre) vjetësh, duke u llogaritur nga dita kur aktgjykimi të merr formën e prerë.

Në përshkrimin e lëndës, thuhet se nga data 20.06.2014 deri më 12.08.2014 në Prizren, duke i fshehur faktet dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër ose për t’i shkaktuar dëm material personit tjetër, e mashtron apo vazhdon lajthimin e personit tjetër dhe më këtë e nxit të dëmtuarin me iniciale Q.P.

“Si mjek popullor, ata merren vesh në mes vete që i pandehuri me iniciale H.P. t’ia shëroj gruan e tij që vuante nga depresioni, në kompensim të një vlere prej 2.000 (dymijë) euro, por që pas kalimit të një kohe gruaja nuk ishte shëruar dhe si rrjedhojë të dëmtuarin e vendos në lajthitje dhe mashtrim, duke i shkaktuar dëm material”, thuhet në kumtesën e Gjykatës.

Burdushi ishte arrestuar një javë më parë, pas bastisjes së shtëpisë së tij dhe akuzohej për pesë vepra penale.

Prokurori në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, Petrit Kryeziu ka thënë për “GazetaePrizrent.net” se mbi të rëndonin dyshimet për pesë vepra penale: mashtrim, shmangie nga tatimi, armëmbajtje ilegale, ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe fajde.

Në cilësinë e provave, pos materialeve të tjera janë konfiskuar edhe 3 vetura./GazetaePrizrent.net/

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.