Caktohet lokacioni, së shpejti gurthemeli për Monumentin e Skënderbeut në Prizren
Më 28 nëntor të këtij viti, në datën që përkon me disa ngjarje madhore të historisë kombëtare, Kryeqyteti historik i Kosovës, Prizreni pritet ta ketë edhe Monumentin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.
Marrëveshja për realizmin e projektit është nënshkruar nga Komuna e Prizrenit, përkatësisht Drejtoria e Administratës dhe Shoqata e intelektualëve shqiptarë “Trojet e Arbrit”.
Ky hap vjen pas kërkesës që shoqata i ka bërë Komunës dhe vendimit të nxjerrë kohë më parë nga Asambleja Komunale për vendosjen e Monumentit të Skënderbeut në Prizren.
Kryetari i shoqatës “Trojet e Arbrit”, Nue Oroshi, konfirmoi për portalin “Gazeta e Prizrenit” se në fund të majit apo fillim të qershorit do të vihet edhe gurthemeli i Monumentit kombëtar, që do zbulohet më 28 Nëntor 2019.
Shtatorja e Skënderbeut, në lartësi 3.3 metrash, me gjerësi prej 1 metër parashihet të vendoset në rreth rrotullimin tek ish-qendra tregtare “Ben-af”, afër stacionit të autobusëve, në hyrje-daljen Prizren-Gjakova.
Sipas marrëveshjes, financimin e projektit do të bëjë shoqata, ndërsa Komuna do t’i kryej punët për rregullimin e hapësirës dhe të ndriçimit.
“Me vendosjen e këtij Monumenti, Prizreni do t´i lidhë tri nyjat e kryeqendrave shqiptare: Tiranën, Shkupin dhe Prishtinën, të cilat tashmë i kanë Monumentet e tilla. Pas përfundimit të këtij projekti me sukses, do ta fillojmë fazën e dytë për ndërtimin e një e Muzeu Kombëtar të Mesjetës Shqiptare në Kalanë e Prizrenit”, ka thënë Oroshi për portalin “GazetaePrizrenit.net”.