19-04-2024

Çështja e drejtorëve përplas kuvendarët e Prizrenit

Ashtu edhe siç ka shkruar sot në mëngjes ‘gazetaeprizrenit.net’ në mbledhjen e sotme të Kuvendit Komunal (KK) ka pasur një debat të nxehtë rreth përzgjedhjes së drejtorëve, ndonëse gjatë paradites, kryetari i Komunës, Mytaher Hasakuka njoftoi për anulimin e konkursit.

Çështja e përfolur për dhe kundër përzgjedhjes së emrave të drejtorëve u bart zyrtarisht në foltoren e organit më të lartë lokal, KK-së, ndonëse pati kërkesa që kjo pikë të hiqej nga rendi i ditës, pasi konkursi veç ishte anuluar.  Por, këtë ndër të tjera e kundërshtoi edhe drejtori i DKA-së, Skënder Susuri.

Vendimi i Haskukës duket se ka rebeluar kuvendarët e Nismës, pasi ky subjekt udhëheq me DKA-në.  Menjëherë pas hapjes së debatit asamblisti Pranverim Berisha (Nisma), anulimin e konkursit për drejtorë të shkollave, e ka quajtur “veprim adoleshent” të kryetarit të Komunës.

Antigona Bytyqi nga PDK, tha se Susuri pat premtuar se drejtorët me të suksesshëm do të zgjidhen dhe doli se vetëm kandidatët e subjektit të tij ishin më të mirët. “Këtu kanë rol edhe anëtarët e panelit. Disa drejtorë janë zgjedhur në shkëmbim të librezës partiake. Përveç baxhanakëve do të kemi edhe motra të drejtorëve”, tha ajo

Haziz  Hodaj (LDK) ndërkaq tha se kryetari ka marrë një vendim të drejtë për anulimin e konkursit. “Ajo çfarë ka ndodhur me konkursin ka qenë joprofesionale, për shkak të fushatës eja në partinë time se të bëj drejtor. Kjo i bie se njerëzit që kanë shkuar në Nismë janë shpallur drejtor, ndërsa ka pasur mungesë transparence. Është problem të depolitizohet arsimi, por duhet afruar njerëz profesional”, tha ai.

Fatmir Kastrati nga AAK, tha se kjo formë e politizimit me drejtorë ka nisur nga LDK-ja e ka vazhduar me PDK-në, por befasuese është se si ka vepruar VV, pasi ajo më së shumti e ka kritikuar këtë çështje, sa ka qenë në opozitë.  Ai ndërkaq e pyeti Susurin se cili është roli i tij tash kur është anuluar konkursi.

“E di se edhe në VV ka probleme. Kemi pritur se tash do të ndodhë depolitizimi, por nuk di si do të veprohet kur edhe keni këso mosmarrëveshje brenda koalicionit. Është shumë e rëndësishme çështja e menaxhimit, andaj kam pritur që në këtë rast të jepet një shembull i mirë, por kjo nuk ndodhi”, tha ai.

Alush Shala PDK, pasi lavdëroi drejtorin e arsimit Susurin,  tha se është se është me njerëz të gabuar, shkruan “gazetaeprizrenit.net”.

Dafina Bllaca nga PDK, tha se në “Ortakoll” është zgjedhur drejtor baxhanaku i kryetarit të degës, së LDK-së.

Karanfil Haxhillari nga VV, tha se subjekti i tij që po përfolët, por VV nuk bën pazare politike.

Në fund të debatit  para kuvendarëve ka folur Drejtori i DKA-së, Skënder Susuri.   i cili lavdëroi procesin e përzgjedhjes së drejtorëve, ndërsa tha se pas një konsulte me Haskukën do ta marrë vendimin e duhur për të ardhmen e tij në qeverisjen aktuale.

Më gjerësisht për deklarimet e tij, lexoni në linkun  https://gazetaeprizrenit.net/2018/06/28/susuri-pret-konsultim-me-haskuken-per-te-ardhmen-e-tij-politike-pas-anulimit-te-konkursit/

Asnjë koment

Comments are closed.