27-07-2024

NISMA: Anulimi i konkursit nga Haskuka i ngutshëm dhe i ndikuar nga njerëzit rreth tij

Përmes një deklarate për media, NISMA Socialdemokrate-dega në Prizren, derisa e mbështet fuqishëm punën e DKA-së, vlerëson si të njëanshëm dhe joligjor vendimin e Haskukës për anulimin e konkursit, transmeton ‘gazetaeprizrenit.net’.

Në njoftimin e saj ndër tjera thuhet se: Njoftimi i anulimit për drejtor dhe zëvendësdrejtor nga kryetari Mytaher Haskuka është i ngutshëm dhe i ndikuar nga njerëzit që qëndrojnë rreth tij, por të cilët nuk e njohin procesin.

“Anulimi i konkursit, pasi komisioni i ka vlerësuar kandidatet, është i njëanshëm dhe joligjor, ku e tejkalon autoritetin e kryetarit, sipas udhëzimit adminstrativ, 08/2014, sipas të cilit kryetari e ka obligim të respektojë vlerësimin e komisionit që e ka emëruar vet, në përputhje me nenin 8 të U.A , të cituar si më lartë”, thuhet në deklaratën e Zyrës për Informim të degës në Prizren.

Më tej thuhet se Kryetari Haskuka, para se të lëshojë deklarata dhe njoftime për procesin duhet me t’i konsultoj organet vartëse të tij, si dhe të jap argumentet se ku i bazon deklaratat dhe njoftimet e bëra publike.
NISMA Socialdemokrate në Prizren, vlerëson lartë angazhimin profesional dhe të përgjegjshëm të anëtarit të saj, që udhëheq me DKA-në, Skender Susuri dhe e inkurajon edhe më tej në punën e tij, për ta arritur cilësinë në arsim në qytetin e Prizrenit”.

“Presim që kryetari i komunës pas kthimit në Kosovë, ta konsultoi komisionin që e ka emëruar vet, si dhe drejtorin e DKA-së, në mënyrë që pastaj të merr vendime të duhura”, përfundon deklarata e NS-së.

 

Asnjë koment

Comments are closed.